Tregu industrial i Laçit është përfshirë nga një zjarr masiv rreth orës 06:00. Mësohet se shkaku ka qenë zjarri në një lokal afër tregut të qytetit i cili më pas ka përfshirë edhe tregun industrial duke e përpirë nga flakët në pak minuta.


Nga zjarri masiv nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. I gjithë malli që ndodhej brenda tregut është djegur. Në këtë treg mësohet se zhvillojnë aktivitetin rreth 50 tregtarë.


Sipas burimeve zjarri dyshohet të jetë i qëllimshëm edhe pse shkaku i zjarrit dhe rrethanat janë ende të paqarta. Në vendin e ngjarjes ndodhen tre automjete të zjarrfikëses si dhe forca të shumta policie.


Një tregtare e tregut industrial të Laçit ka deklaruar se pak ditë më parë ka qenë një person ka kërcënuar tregtarët se do t’u vinte zjarrin. Sipas saj, kërcënimi është bërë nga një person që pretendon tokën ku ndodhet tregu.


Këtu fajin e ka vetëm shteti. Ka një javë që na paralajmëron se do të na vendosë zjarrin. E kisha me borxh dhe pa borxh për të jetuar për fëmijët e mi. Na kanë kërcënuar këta që janë në konflikt me tokën këtu. Erdhi policia dhe nuk e shoqëroi burrin. Kemi hyrë borxh me mund dhe djersë. Kush do na përgjigjet ne. Nuk kam asnjë burim tjetër jetese. Kam punuar me tre mujor në Greqi dhe erdha e hodha lekët këtu, deklaroi ajo.



























24 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)