Një shkëndijë e fuqishme elektrike ka bërë që stacioni i shpërndarjes së energjisë që ndodhet në mjediset e TEC-it të mbulohet nga flakët e zjarrit mbrëmjen e së hënës. Flakët kanë përfshirë sallën kryesore të stacionit dhe falë ndërhyrjes në kohë të mjeteve zjarrfikëse, zjarri nuk ka marrë përmasa. Por defekti në aparatura i shkaktuar nga shkëndija elektrike, si dhe zjarri, ka bërë që qyteti i Fierit dhe rrethinat e tij të zhyten në errësirë të plotë për disa orë. Burime nga TEC-i i Fierit bëjnë të ditur për gazetën "Shqip" se qysh nga mesdita e së hënës, njëri prej filtrave të tensionit të lartë kishte dhënë sinjal defekti. Sinjali i defektit është ndjerë edhe te banorët e tre lagjeve të qytetit, të cilat janë përballur me kufizim të energjisë që nga ora 15:00 e ditës së hënë. Lagjja "11 Janari" dhe "Kastriot", si dhe një pjesë e qendrës së qytetit janë përballur me kufizime të thella të energjisë qysh nga mesdita e së hënës, për shkak të një defekti në stacionin e TEC-it. "Riparimi i defektit nuk premtonte e për rrjedhojë deri në orën 19:00 disa zona të qytetit janë përballur me mungesë të theksuar të energjisë", thonë zyrtarisht pranë njësisë elektrike të tensionit të lartë në TEC. Duket se riparimi i këtij defekti të sinjalizuar qysh në mesditë, ka qenë fatal për në mbrëmje, kur po i njëjti filtër është përfshirë nga shkëndija elektrike, diku nga ora 19:30 e mbrëmjes. Riparimi i defektit të rëndë ka zgjatur për shumë orë, ndërkohë që energjia është rikthyer gjatë orëve të para të mëngjesit të së martës.