Alfred Vicishta/Gjermani


"Unë jam rrit si Zog-Mali, ndërsa Edi Rama është rrit si zvarranik nëpër bunkerë". Këto janë fjalët e një burri gati 70 vjeçar që mundohet ta sfidojë konkurrentin e tij kryesor Edi Rama, 20 vjet më të ri në moshë. Pyetja është se çfarë zogu është Sali Berisha sot, dhe si ka ndodhur evoluimi i tij? Djaloshi Sali u arsimua në një sistem shkollor, të detyruar nga sistemi i kaluar komunist, për të gjithë fëmijët shqiptarë deri në thellësitë më të larta malore. Falë kësaj të mire që pati ai sistem dhe si rezultat i përkushtimit, djaloshi Sali vazhdoi studimet falas në Fakultetin e Mjekësisë dhe u diplomua si mjek në kryeqytet.


Pra zogu i malit u bë Zog - Tirone. Saliu nuk u kthye për t’u shërbyer njerëzve në bjeshkët krenare të Tropojës, nga kishte ardhur, sepse atij i pëlqeu jeta e Tiranës, i pëlqente t’u shërbente atyre që ndërtonin bunkerë për shqiptarët. Pra ndodhi ndryshimi i dytë, Berisha u kthye në Zog-Blloku. Erdhi viti 1991 dhe Saliu, që u dërgua tek Lëvizja studentore shfrytëzoi shansin për të marrë frenat e Partisë Demokratike. Pra ndodhi ndryshimi i tretë, Zogu i Bllokut u kthye në Zog-Blu, dhe u bë Presidenti i shqiptarëve.


Hipur në pushtet dhe duke qeverisur pa përgjegjësi, Sali Berisha ndërtoi firmat piramidale dhe i dërgoi shqiptarët në luftë civile. Këtu ndodhi ndryshimi i katërt: Berisha u kthye në Zog-Kallashi duke shkatërruar përfundimisht shtetin dhe ushtrinë shqiptare. I detyruar nga protestat popullore dhe zgjedhjet e parakohshme, Sali Berisha u kthye në opozitë dhe u përpoq në vitin 1998 të merrte pushtetin me dhunë. Këtu ndodhi ndryshimi i pestë i tij, Berisha u kthye në Zog - Gjarpri.


Viteve në opozitë, ai filloi të merrte leksione nga Podesta që po e përgatiste si t’i fitonte zgjedhjet dhe këtu ndodhi ndryshimi i gjashtë i tij: Berisha u shndërrua në Zog-Kameleoni, duke u rikthyer në pushtet me premtimin se tashmë ka ndryshuar. Por ndodhi ajo që i ndodh vetëm atyre që i shpërblejnë me përulësi eprorëve që e sollën në krye të shtetit shqiptar. Firma amerikano-shqiptare që kishte krijuar, për t’u pasuruar me arsenalin e madh të armatimeve që na la si trashëgim sistemi komunist, shkaktoi tragjedinë e Gërdecit.


Këtu ndodhi ndryshimi i shtatë i Berishës dhe ai u kthye në Zog-Baruti. Zgjedhjet e vitit 2009 i vodhi dhe i manipuloi me egërsi të paparë dhe këtu ndodhi ndryshimi i tetë, Berisha u kthye në Zog-Dhelpre. Mbajtja e qeverisjes së vendit për të cilën ai vrau më 21 Janar 2011, bëri që Berisha të shndërrohet përsëri në Zog-Plumbi. Sot jemi në vitin 2013, vetëm 5 ditë para zgjedhjeve Parlamentare dhe ai kërkon përsëri të na mashtrojë, që t’i japim votën për të mos ikur nga Kryeministria, ku po drejton me egërsinë e një skizofreni dhe fuqinë e një sulltani që paguan jeniçerët e tij besnikë, me paratë që fiton duke shitur dhe vjedhur pasurinë e shqiptarëve.


Kështu që po na jepet mundësia që të shikojmë dhe degjenerimin e tij të fundit: Berisha është kthyer tashmë në Zog-Thiu. Por, ai harron se shqiptarët s'janë zogj gomerësh, por janë Zogj-Shqiponje që me vota do ia heqin jelekun antiplumb, që Sali-Zog-Berisha të lahet nga ndryshku që mban mbi pendët e tij të sterrosura.