Deputeti Preç Zogaj shprehet se Berisha vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në caktimin e njerëzve

TIRANË- Praktika disavjeçare në Partinë Demokratike ka treguar se kryetari i kësaj partie, Sali Berisha, ka luajtur një rol përfundimtar në caktimin e njerëzve në pozicionet kyçe të strukturave të kësaj partie. Deputeti demokrat Besnik Mustafaj që e njeh prej vitesh Berishën, por që raportet mes tyre kanë ndryshuar tashmë, është përgjigjur dje se e rëndësishme mbi të gjitha është zbatimi i statutit të partisë. Por kolegu i tij dhe një ndër njerëzit që ka kontribuar në themelimin e partisë bashkë me Berishën, deputeti demokrat, Preç Zogaj, mendon krejt ndryshe. Më saktë, Zogaj konfirmon atë që pak zyrtarë mund ta thonë publikisht në PD, se Berisha vazhdon të luajë një rol përcaktues në fituesin e garës. “Ka qenë dhe është e vështirë, për mendimin tim, pa mbështetjen e kryeministrit Sali Berisha”,- përgjigjet shkurt Zogaj teksa pyetet nga media pikërisht për këtë fenomen. Deputeti demokrat sqaron se Berisha është afirmuar ndër vite si lider. “Pra, pozicioni i Berishës është shumë i rëndësishëm për fituesin e garës, por jo për vetë garën”,- tha Zogaj. Deputeti demokrat duket se nuk përfshihet në atë kategori njerëzish brenda partisë sa të besojë se ndikimi i Berishës është deri aty, sa i lejon një zyrtari për t’u bërë ose jo pjesë e një gare në PD. Zogaj theksoi se do të ishte shumë e dëmshme që qëndrimi i Berishës të shërbente si kriter edhe për të pasur apo jo një garë. Deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj është ndër njerëzit e larguar nga strukturat e kësaj partie, së cilës vendosi që t’i bashkëngjitej kur PD ishte në opozitë në saje të një oferte të hapur nga kjo e fundit, për të pranuar në strukturat e saj gjithë të larguarit.