Nga Romina Zano
Ka diçka përtej një Zone, asaj hapësire të shkretuar ku jetojnë ëndrrat e panjohura: domosdoshmëria e vazhdueshme e shpresave njerëzore. Të fjalëve në kërkim të shpjegimeve, të vetvetes në kërkim të pakuptimes, të njeriut në kërkim të besimit.
Stalker, filmi i një prej poetëve më të mëdhenj të kinemasë botërore, Andrej Tarkovski, sjell përpara vështrimit të audiencës, krisjen me shkak dhimbje, e imazhit të një universi të brendshëm njerëzor. Dhimbje e cila shpëtim ka sërish dhimbjen, cilësuar në estetikën e artit rus si pohimi më i madh i thellësisë shpirtërore të njeriut.
Jo pa qëllim, filmi nis me një frazë, thënë nga gruaja e protagonistit: Përse po me merr orën me vete? Stalker, personazhi i luajtur nga Alexander Kaidanovsky, është dikush i cili ka, të themi një lloj pune, një detyrë të caktuar, e të drejtuarit njerëzit në një Zonë, një territor në Rusinë sovjetike, e cila thuhej se kishte aftësinë të çlironte energji të mbinatyrshme, duke shëruar plagët, jetë njerëzish, duke rikthyer shëndetin, lumturinë, ëndrrat por kjo Zonë ka një rrugëtim të gjatë dhe të lodhshëm, plot mundime, e cila duhet ndjekur dhe kërkon shumë energji, forcë e vullnet. I drejtohen këtij rrugëtimi tre personazhe të dallueshëm nga njëri tjetri: një profesor i shkencave në kërkim të zbulimeve, një shkrimtar në kërkim të frymëzimit dhe muzës së tij, dhe një Stalker, udhëheqësi i tyre në udhëtim, në kërkim të një oazi të përkohshëm, larg gruas së tij dhe vajzës që vuante nga një sëmundje fizike. (Vajza është elementi më poetik i veprës: nëpërmjet aftësive të saj telekinetike, ajo zbulon më ngjyrat e shpirtit sytë pasionantë të mikes së saj imagjinare.) Të tre nisur drejt tokë së premtuar. Në mes peripecirash, dyshimesh e vuajtjesh ekzistenciale për shkak të pamundësisë së portës së fundit, zbulohet esenca e gjithë kryeveprës : të duash rrugëtimin, e të mos humbasësh besimin në të, kjo është nevoja njerëzore. Dhe jo një pikëmbërritje finale.
Stalker, mund të krijojë bindjen e një njeriu të dobët, por në fakt ai qëndron i fortë përballë besimit dhe vullnetit të tij për ti shërbyer të tretëve. Një njeri, i cili nuk mundet te shëroje plagët e një jete fatkeqe, e fatkeqe për një shkak të vetëm: sepse ishte një Stalker! Një krizë shpirtërore për të është një udhë në kërkim të vetvetes, në kërkim të një besimi të ri, nëse ka humbur një tjetër.
A jemi vetë ne, brishtësia e qenies tone, që kërkojmë në pafundësinë e ndjesive shqisore, një Zonë shpëtimi, Zonën e përbashkët, ku të besojmë tërësisht në diçka të cilën realiteti i tanishëm nuk mund të na e ofrojë? Nuk do doja të ishte tillë. Nuk mundemi të besojmë së gjithçka që kemi ëndërruar dhe vazhdojmë ta bëjmë, e kemi projektuar jashtë nesh, ashtu të panjohur, të paprekur, të pandjerë.
Por sipas Tarkovskit, i cili shprehet qartë në veprën e tij Sculpting in time, Zona nuk është asgjë tjetër përveçse jeta. Zona nuk ka asnjë element fantastik, ekziston në sistemin e vjetër dhe të ri, të së shkuarës dhe të së ardhmes. Zona qëndron në krah me ne, kudo të ndodhemi. Pohimi apo mohimi i saj është thjesht një çështje respekti ndaj vetes dhe në të njëjtën kohë aftësia për të diferencuar atë çka është e rëndësishme midis një tjetre që ndoshta duhet lënë thjesht e lirë të kalojë.
A mundemi të shpresojmë se sot, Zona jonë është Hapësira e përbashkët europiane?…
Diku, në fund të rrugëtimit filmik, dëgjohet ekoja e largët e Himnit të Europës, Oda e gëzimit.