TIRANE - Dhuna dhe diktati që trajton "Zonjushë Margarita" e Roberto Athayde, do të vijnë në skenë në dy gjuhë: shqip dhe greqisht. Aktoret e njohura Luiza Xhuvani dhe Evgjenia Stravropulu interpretojnë të njëjtën pjesë për publikun shqiptar më 22 dhe 23 maj, në sallën Black Box të Universitetit të Arteve. Projekti realizohet si bashkëpunim i "Teatrit Shëtitës" dhe teatrit grek "Praxi Epta". Në qendër të veprës është një mësuese, Margarita, e cila në orën e biologjisë dhe të matematikës u flet nxënësve për vdekjen dhe për seksin. Është një vepër sfidë, e luajtur shumë rrallë nëpër botë, për shkak të vështirësive të mëdha që ka ajo kryesisht artistike, por edhe teknike. Teksti i saj konsiderohet edhe si i papranueshëm. Një mësuese tiranike që nën pretekstin e një ore mësimi kalon parasysh elementët bazë të ekzistencës: bindjen, revoltën, seksualitetin, fenë dhe shkollimin. Larg mësimdhënies tradicionale, Zonjushë Margarita të bën të mësosh përmendësh "të jesh ushtar". Konceptet e saj për matematikën dhe biologjinë dalin nga programi. Historia e Zonjushë Margaritës fillon në vitin 1970, në Rio De Janero, kur Roberto Athayde ishte vetëm 21 vjeç.
Shfaqja
Margarita greke dhe ajo shqiptare do të vihen përballë, paçka se në konferencën e djeshme për mediat, regjisori Kiço Londo u shpreh se nuk e sheh si një garë. Ai kërkoi që fokusi të vihet tek bashkëpunimi shqiptaro-grek, jo tek dasitë. Evgjenia Stravropulu, e cila e ka luajtur disa herë pjesën, u shpreh se "Zonjushë Margarita" është luajtur më shumë se 300 herë në të gjitha vendet e botës se dhe kjo nuk është e rastësishme, sepse kjo vepër u përket të gjithë qytetarëve të botës. "Është një vepër qe ka të bëjë me keqpërdorimin pushtetit, me dëshirën e papërmbajtshme që ka njerëzimi për të kontrolluar jetën e të tjerëve. Vepra e shkrimtarit të njohur Athayde është shkruar në kohën e diktaturës në Brazil. Kjo vepër është tragjikomike, por ka dramë brenda, sepse ne të gjithë e kemi përjetuar nga pak diktaturën", u shpreh aktorja greke. Monodrama e interpretuar pak javë më parë në Athinë nga Luiza Xhuvani ka marrë vlerësime nga aktorja Evgjenia Stavropulu dhe regjisori Theodoros Grampsas. Ky i fundit qe shprehur se para dy vitesh ka vënë në skenë në Athinë "Zonjushë Margaritën" dhe e njeh shumë mirë veprën. "Shfaqja që pamë ishte një spektakël tepër i veçantë. Një punë e përsosur, jo vetëm për regjisorin dhe aktoren, por për të gjithë komponentët që marrin pjesë në të". Sipas tij, "Londo ka treguar thellësinë e veprës, pa u përpjekur, siç zakonisht ndodh, që regjisori del më i zgjuar se autori. Vepra doli ashtu si duhet dhe kjo i dedikohet interpretimit të shkëlqyer të aktores së madhe që pamë në skenën sonte".
"Luiza Xhuvani përcjell në formën e një monologu të shpejtë theksin e së vërtetës, duke qenë për afro 70 minuta konkrete dhe intime. Bie në sy tek Xhuvani plastika e veçantë që sfidon moshën e saj dhe triumfi i saj përballë një vepre të jashtëzakonshme dhe sfiduese. Gjatë gjithë kohës, Luiza Xhuvani është e gjallë, drithëruese, sensuale duke dëshmuar tipare të shkëlqyera aktoriale", shkruhej për aktoren pas interpretimit në teatrin "Argo" në Greqi.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)