Në vigjilje të 21 qershorit, Dita Ndërkombëtare e Muzikës, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit prezanton sonte, ora 19.00 në hollin e koncerteve "Jeta mbaron...vepra vazhdon" përgatitur nga Zhani Ciko. Në përkujtim të 80-vjetorit të lindjes së kompozitorit Nikolla Zoraqi (1929-2009). Viti muzikor 2009 në Opera është shpallur "Vit i Nikolla Zoraqit". Për nder të tij u rivu në skenë pas 20 vjetësh baleti me muzikë të tijën "Gjenerali i ushtrisë së vdekur".





Po sonte në sallën kryesore të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzikës, do të luajë kuarteti francez "Quatour Diotima" i krijuar në vitin 1996 nga aspirantë të Konservatorit të Parisit dhe atij të Lionit. Ky kuartet i harqeve luan muzikë kontemporane, por edhe atë të shekullit njëzet në vazhdën e traditës të kuarteteve të muzikës klasike dhe romantike si ajo nga Hayden, Beethoven, Schuman, Brams, Dvorak etj.





Dita Ndërkombëtare e Muzikës, 21 qershori, historinë e saj e nis nën emrin "Faites de la Musique". Në ketë datë u organizuan aktivitete nën temën "Bëni muzikë" duke nxitur parizienët të interpretonin muzikë nëpër rrugët e qytetit të tyre. Fillimisht kjo ditë u

përcaktua si një festë me karakter kombëtar për Francën, por pas vitit 1985 u deklarua si festë edhe për Europën. Festimet u përhapën në vitet në vijim edhe në vende të tjera të planetit dhe brenda 15 vjetësh u njoh në rreth 100 vende si Dita Ndërkombëtare e Muzikës.