(Drejtuar Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z.Ylli PANGO)

I nderuar Zoti Ministër!

Duke shprehur keqardhjen time, kur dhe për në raste të tilla banale duhet t’u drejtohem personalisht Juve, në mënyrë që skandalet të cilat Galeria Kombëtare e Arteve i prodhon prej muajsh,të marrin zgjidhje. Unë quhem Fani Zguro, fitues i çmimit të parë në konkursin ndërkombëtar të arteve pamore “Onufri 2007”, kuruar nga Ervin Hatibi dhe Rubens Shima, organizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve. Padyshim që pas gjithë peripecive që kanë ndodhur jo vetëm pas dhënjes së çmimit, por edhe gjatë kurimit të aktivitetit, nuk do të doja kurrësesi që një tjetër artist të vihej në pozicionin tim. Kur u diplomova në 2007-n në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës, në Milano, mendova seriozisht që të kthehem në Tiranë dhe të punoj në të ashtuquajturin sistemi i artit shqiptar. Por pas eksperiencës së Onufrit, padiskutim që ky mendim zbehet dhe kjo vjen mëse natyrshëm. U bënë plot 3 muaj që nga ndarja e çmimeve “Onufri”, për të cilat vendosi një juri ndërkombëtare. Drejtorë e kuratorë të muzeve nga më dinjitozët në Europë vendosën unanimisht për të katërta çmimet, ndërkohë që jo larg, në një të përditshme, drejtori i Galerisë Kombëtare, Genc Mulliqi shprehej kështu: “Kam ndjekur komunikimin me shkresat zyrtare. Dua që të dokumentohet gjithçka. Shkeljet e procedurave ligjore, administrative e financiare janë flagrante sepse kuratorët kanë vepruar edhe si drejtorë të projektit, edhe si menaxherë fondesh, edhe si selektorë të jurisë. Të gjitha blerjet për Onufrin janë bërë në kundërshtim me legjislacionin përkatës, sepse edhe blerjet më të vogla nuk mund të kryhen pa urdhrin e prokurimit. Kuratorët dhe juria e Onufrit janë zgjedhur forcërisht. Dokumentet zyrtare e provojnë këtë. Si rrjedhojë, edhe fituesit janë në njëfarë mënyre të jashtëligjshëm”.

Kujtoj Zoti Ministër që, në inagurimin e “Onufrit”, Ju ishit personalisht prezent. Atëherë, prej deklaratës së Genc Mulliqit, nënkuptohet që edhe Ju ishit sjellë forcërisht në inagurimin e “Onufrit”. I nderuar Zoti Ministër, çmenduritë e drejtuesve të tillë duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë. Sa seriozisht mund të merren këta drejtuers kur pas gati katër muajsh nga realizimi i një aktiviteti, deklarojnë se ai në tërësinë e tij ishte i paligjshmëm. Nuk besoj se “Onufri 2007” është realizuar pa dijeninë e MTKRS-së dhe të tjerëve. Përkundrazi. Çdo hap i procedimit të këtij konkursi është monitoruar në media, duke filluar që nga kuratorët e tij, koncepti i ekspozitës, përzgjedhja e artistëve, ajo e jurisë dhe së fundmi, i çmimeve. Këtu e vetmja shkelje dhe moment i jashtëligjshëm në të gjitha kontekstet është qëndrimi regresiv i drejtorit të GKA-së Genc Mulliqit dhe deklaratës së tij më të fundit, që është një manifest perfekt i çdo deliri, paaftësie, mosprofesionalizmi dhe unë do të shtoja më shumë se kaq... Në çdo lëvizje të Genc Mulliqit në drejtim të statusit të GKA-së, kemi hasur vetëm statusin e një personi të shëndoshë fizikisht dhe krejtësisht të sëmurë psiqikisht. Ku është parë e dëgjuar që drejtuesi më i lartë i një institucioni kulturor të krijojë të tilla debate absurde, të turpshme dhe infantile, të cilat nuk ndihmojnë askënd, por vetëm degradojnë imazhin e GKA-së si edhe të MTKRS-së. Këtu krijohet ideja se para Genc Mulliqit të gjithë janë të pafuqishëm, duke përfshirë dhe Ju z.Ministër. Përderisa kundrejt tij nuk merret asnjë masë, atëherë ç’duhet menduar në këtë rast? Këto ditë mësova nga mediat se MTKRS-ja po aprovon një projekt suporti për artistët e rinj. E si mund të merret seriozisht ky projekt, ndërkohë që fituesi i çmimit të parë në “Onufri 2006” është likujduar gati një vit me vonesë nga momenti i dhënies së çmimit dhe fituesit e “Onufri 2007”, as që duan t’i njohin si të tillë?! (dhe autori është i njohur tashmë). Por këtu ka edhe më keq. Në fillim të shkurtit, kontaktova një muaj rresht personalisht me Genc Mulliqin, përsa i përket likuidimit të çmimit. Dhe për një muaj rresht z.Genc Mulliqi ka gënjyer sistematikisht, duke caktuar çdo herë nga një datë të re për këtë likuidim. Si përfundim, shuma e akorduar nuk u likuidua asnjëherë dhe pas 3 muajsh nga dhënia e çmimit, Genc Mulliqi lëshon bombën e fundit të papërgjegjshmërisë së tij, se tashmë edhe fituesit na qenkan të jashtëligjshëm! Unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë që një aktivitet serioz të realizohet dhe mandej të përgënjeshtrohet. Mos duhet të besojmë se GKA-ja është pronë private e Genc Mulliqit, apo të besojmë se ky individ ka lirinë e plotë të nëpërkëmbë, GKA-në, MTKRS-në nga e cila kjo e fundit, artistët pjesëmarrës në konkurs, kuratorët, jurinë, fituesit, opinionin publik dhe gjithcka lidhet me këtë institucion? Në këto dy muaj sorrollatjesh, falë z.Mulliqi kam humbur disa aktivitete jashtë Shqipërisë dhe rrezikoj që të humbas edhe dy ekspozitat në vijim, të cilat realizohen në mesin e muajit prill në Milano. Fatkeqësisht, qëndrimi i Genc Mulliqit është i pashembullt dhe i paparë në historinë e GKA-së.

I nderuar z.Ministër, shpresoj në ndërhyrjen tuaj të mençur e pozitive, pasi ky është një rast që nuk mund të tolerohet më.

Me respekt

Fani ZGURO









11 Prill 2008