Elbasan- Ceremonia e hapjes së tunelit të Elbasanit u shndërruar pak ditë më parë jo vetëm në një manifestim të madh politik nga kryeministri Berisha, por edhe për banorët e Elbasanit.
Qindra qytetarë e shndërruan hyrjen e tunelit ne vend peligrinazhi, duke shikuar me kuriozitet një vepër infrastrukturore. Ata nxituan të shikojnë tunelit, të shuajnë kureshtjen dhe të shprehin falenderimet e tyre për qeverinë që mundësoi këtë vepër e cila shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit mes Tiranës dhe Elbasanit.
Por duket se admirimi i elbasanasve për tunelin e Krrabës nuk ka mbaruar këtu. Si në asnjë rast tjetër, tunelin e rrugës së re e ka bekuar edhe prifti i kishës autoqefale “Shën Maria” në Elbasan, At Nikolla Marku. Ai bekoi tunelin e Qafë-Krrabës, duke bërë kryqin në hyrje të tij, i shoqëruar edhe nga dy djem të vegjël, që mbanin në dorë kryqet dhe që shoqëruan priftin në ritet fetare të bekimit të shenjtë të tunelit. At Nikolla uroi që udhëtimi në këtë rrugë të shkojë sa më mbarë. Prifti zhvilloi një rit në hyrje të tunelit dhe më pas përshkoi të gjithë tunelin duke bërë ritet fetare, të cilat zakonisht jemi mësuar t’i shohim brenda kishave.
Ndoshta vendimi i priftit të Elbasanit për të bekuar tunelin nuk është nisur vetëm nga shërbimi i madh që ky tunel do tu bëjë banorëve të Elbasanit dhe qyteteve të tjera të vendit, por edhe për shkak të numrit të madh të aksidenteve që kanë ndodhur menjëherë pas hapjes së kësaj rruge.