Ka më shumë se një muaj e gjysmë kur kanë filluar punimet për zgjerimin e rrugës në sheshin “Bill Clinton” në Prishtinë. Nga ajo kohë, eskevatorët jo çdo ditë dëgjohen se janë duke punuar. Njëra pjesë e rrugës vetëm është gërryer dhe ka vazhduar të mbetet e tillë. Ky intensitet i dobët i punës është bërë shkaktar i kaosit në komunikacion.



Megjithatë, zyrtarëve të Komunës duket se nuk po u bëhet vonë. Banorëve të kësaj pjese të qytetit kjo tollovi ka filluar t’u kalojë në neveri.



Ylber Shehu, banor i lagjes “Santea”, që ndodhet pranë rrugës ku po bëhen këto punime, shprehet skeptik që ky projekt do të përfundojë me kohë, sepse, sipas tij, puna po ecën shumë ngadalë.



“Rregullimi i këtij sheshi po merr shumë kohë. Bllokimi i rrugës, prishja e trotuareve dhe çrregullimi total i komunikacionit po na shkakton shume probleme”, thekson Ylberi për Express.



Ai thotë se përveç makinave që krijojnë kolona të gjata, për shkak te punimeve ne rrugë edhe këmbësorët hasin në vështirësi.



“Trotuaret e deritanishme janë shkatërruar. Shpresoj se Komuna do të ndërmarrë ndonjë masë, që punët te përshpejtohen, pasi kështu nuk vazhdohet tutje”, shprehet i shqetësuar Ylberi.



Ai akoma nuk i ka harruar fjalët që kryetari pati thënë gjatë inaugurimit se këto punime do të kryhen shumë shpejt.



“Komuna është marrë vesh me kontraktuesin që punimet të vazhdojnë edhe natën, afërsisht deri në orën 23, në mënyrë që mos t’u prishet qytetarëve qetësia e gjumit”, pati deklaruar Mustafa gjatë inaugurimit të këtij sheshi. Ai pati premtuar se punimet do të përfundojnë brenda 6 muajsh, madje se do të bëhen përpjekje që këto punime të kryhen edhe para afatit.



Megjithatë, edhe pse kryetari Mustafa u ka dhënë leje të posaçme që kompania mund të punojë deri në orën 23, kjo nuk ndodh. Edhe gjatë fundjavës punohet pak, ndonjëherë ndodh që të mos punohet fare.



Zëdhënësi i Komunës, Muhamet Gashi, ka thënë se Komuna mbikëqyr punët për zgjerimin e bulevardit.



“Por, komuna nuk ka reaguar ende për mosrespektim të orarit të punës nga kompania ‘Alko Impex’, e cila është kontraktuar për këtë punë”, shpjegon Gashi. Ai thotë se investitori është zotuar dhe është duke i kryer punët me sukses.



“Është në plan të ndërtohet edhe një nënkalimi që lidh lagjen e ‘Lakërishtes’ me atë të ‘Dardanisë’, prandaj edhe ka pak vonesa”, thekson Gashi për Express.



Sidoqoftë, vonesat e qëllimshme apo të paqëllimshme në punë pritet që ta vështirësojë edhe për një kohë të gjatë komunikacionin. Menjëherë pas vendimit për zgjerimin e rrugës në këtë shesh, Komuna ka filluar rrënimin e disa lokaleve që ishin shumë pranë rrugës. Ndryshe, zgjerimi i këtij sheshi, sipas Komunës, do të kushtojë 1 milion e 620 mijë euro.