37-vjeçari është shprehur i kënaqur me transferimin, duke theksuar se ka pasur gjithmonë dëshirë ta mbyllë karrierën në Shqipëri. “E doja vetë transferimin këtu. E kam nisur karrierën te Tirana dhe doja ta përfundoja me këtë klub. Megjithëse luaja jashtë, gjithnjë pata menduar që ta mbyllja me Tiranën”, u shpreh sulmuesi. Bushi mban ende rekordin për numrin e golave të realizuar me fanellën e kombëtares, 14, vetëm 1 gol përpara Erjon Bogdanit.

Ndërkohë, dje është mbyllur me një fund të lumtur një nga çështjet më problematike të bardhebluve gjatë kësaj vere. Kapiteni Devi Muka është rikthyer nën urdhrat e trajnerit Starova dhe ka zhvilluar seancën e parë stërvitore së bashku me të sapoardhurin Alban Bushi.

Vlonjati u largua nga 24 herë kampionët pas mosmarrëveshjeve me shefin e klubit Rauf Dimraj, por vendosi të rikthehet pas këmbënguljes së presidentit Refik Halili. Gjithashtu, marrja e një mbrojtësi kroat ka përforcuar edhe repartin e mbrojtjes bardheblu, që shfaqi jo pak pasiguri në dy ndeshjet e para.