Elvin Beqiri është blerja e parë e madhe e Vllaznisë në këtë merkato vere. Pas shumë javëve spekulime dhe pritjes së një përgjigje përfundimtare, klubi dhe lojtari kanë gjetur akordin. Mbrojtësi 31-vjeçar ka firmosur kontratë 2-vjeçare me kuqeblutë dhe vihet menjëherë në shërbim të trajnerit Shpëtim Duro.
Në këtë mënyrë, drejtuesit e klubit mbajnë premtimin e parë për të ndërtuar një skuadër cilësore për sezonin e ri, ku objektivat minimale janë triumfi në Kupën e Shqipërisë dhe klasifikimi në vendet e para, për ti garantuar skuadrës pjesëmarrjen në kupat e Europës.
Beqiri kthehet në “Loro Boriçi” pas aventurës 2-vjeçare në kampionatin elitar të Azerbajxhanit, ku ka mbrojtur ngjyrat e Kazar Lankaran, ku ka qenë dy herë nënkampion, ndërsa në sezonin 2010-2011 fitoi Kupën e Azerbajxhanit.
Për ish-mbrojtësin e Kombëtares, ky është rikthimi i tretë në radhët e Vllaznisë, skuadër ku është rritur dhe afirmuar në karrierën si futbollist.
Ai është një përforëcim mjaft i rëndësishëm për mbrojtjen e ekipit shkodran, për kualitetin dhe eksperiencën që ofron, ndërsa në drejtuesit e Vllaznisë vazhdojnë të mendojnë për merkaton, ku përforëcimi i radhës pritet të jetë sërish në repartin difensiv, me njërin ndërmjet Tefik Osmanit dhe malazezit Nikolla Vukçeviç.