Policia e Shtetit ka konstatuar 14 raste veprash penale që cënojnë sistemin demokratik të zgjedhjeve për të cilat deri më sot janë identifikuar 24 autorë, një pjesë e të cilëve janë arrestuar, ndërsa të tjerë ndiqen në gjendje të lirë dhe një pjesë janë shpallur në kërkim.


Një fakt i tillë u bë me dije Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, gjatë raportimit në mbledhjen e tretë të Task-Forcës së krijuar për mbarëvajtjen e fushatës dhe proçesit të zgjedhje.


Njëkohësisht, Çako raportoi për 14 raste të shitblerjes së votës, për të cilat tha ai janë kryer veprimet procedurale dhe janë referuar pranë prokurorisë.


Sipas informacioneve të Policisë së Shtetit për një pjesë të rasteve më sipër prokuroria ka regjistruar procedime penale, kurse të tjera janë në vlerësim e sipër.


Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit garantoi, çka u mbështet dhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, se sipas informacioneve të deritanishme nuk ka përfshirje të punonjësve të Policisë së Shtetit në vepra penale që prekin sistemin demokratik të zgjedhjeve të lira.


Pavarësisht kësaj çdo qytetar apo subjekt zgjedhor është i mirëpritur të kallëzojë nominalisht pranë Policisë së Shtetit dhe/ose prokurorisë çdo punonjës të policisë së shtetit të përfshirë në kryerjen e veprave të tilla penale.


Task-Forca fton prokurorinë të ndjekë me përparësi çdo vepër penale që prek sistemin e zgjedhjeve të lira si dhe veprat penale që i janë referuar nga Policia e Shtetit për rastet më sipër të sjella nga LSI në vëmendje të Task-Forcës.


Prokuroria ftohet edhe njëherë që të caktojë një përfaqësues të sajin në Task-Forcë dhe të marrë pjesë në mbledhjet e saj.


Task-Forca në kuadër të transparencës dhe trajtimit të barabartë të të gjithë subjekteve zgjedhore në vijim të raportimeve të sotme gjatë mbledhjes së saj nga Policia e Shtetit do të informojë së shpejti subjektin zgjedhor LSI dhe do ti vërë në dispozicion materialin e dërguar nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria për sa nuk cënon sekretin shtetëror.


/Oranews.tv /


 


 


 


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter