3 ditë pushim për të karikuar bateritë. Partizani kthehet këtë të premte për të rinisur përgatitjet për sprintin final me optimizmin e duhur se një sezon plot peripeci mund të mbyllet duke kapur përfaqësimin në kompeticionet europiane.


Vendi i 3-të është vetëm 3 pikë larg, distancë plotësisht e rikuperueshme, ndërkohë që në ndeshjet e fundit me lojën në rritje nuk kanë munguar as rezultatet.


7 pikë në 3 ndeshje me fitoret ndaj skuadrave të mirorganizuara si Luftëtari dhe Flamurtari për Klevis Dalipin, që, veç të tjerave, për fazën vendimtare të sezonit pret një organikë të plotë me të gjithë asat e munguar. Edgar Çani gjeti më në fund golin e parë sezonal dhe për rifillimin e kampionatit ndaj Kamzës mesjavën e ardhshme do të ketë fituar edhe më tepër ngarkesë, ndërkohë që skuadra, përveç pikës së referimit aq të munguar në sulm, pret edhe kontributin e lojtarëve të tjerë të rëndësishëm.


Arbnor Fejzullahi spikati sezonin e kaluar si një ndër më të mirët në kampin e kuq, këtë vit u penalizua nga ai dëmtim i gjatë, që e mbajti për muaj të tërë larg fushës, por tani pritet të rikthehet. Fejzullahi eshte praktikisht gati, por i duhen minutat në këmbë dhe për ti fituar mbrojtësi 24-vjeçar do të aktiviziohet fillimisht me skuadrën e dytë të të kuqve, për të qenë plotësisht gati për të dhënë kontributin e tij.


Një tjetër lojtar i rëndësishëm ndërkohë pritet të mos mungojë për fazën finale të sezonit, bëhet fjalë për Bruno Telushin. Edhe pse për mesfushorin vlonjat është një diskutim ndryshe nga ai për Fejzullahin, pasi është më vonë me etapat e rikuperimit, 27-vjecari shpresohet që të jetë gati për pjesën më të madhe të fazës së katërt dhe të fundit të sezonit.


Dy rikthime të rëndësishme për Dalipin, edhe pse vlen të theksohet se deri më tani, Labinot Ibrahimi në krahun e djathtë ka bërë paraqitje mjaft të mira, ndërsa Esat Mala mund të konsiderohet pa dyshim një zbulim në mesfushë, ku ka bërë rolin e Telushit.


Gjithsesi, me një grup të plotë trajneri Dalipi pritet të ketë vetëm vështirësinë e përzgjedhjes për arritjen e objektivit final, kualifikimin në eliminatoret e Europa League.


22 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)