Gjykata në Bullgari liroi nga paraburgimi ish-kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku, i arrestuar para dy ditësh në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Beogradi. Lajmi u bë i ditur nga agjencia bullgare e lajmeve “Fokus”, sipas të cilës gjykata e qarkut në Qystendil vleresoi se Çeku nuk ishte fajtor dhe për pasojë urdhëroi lirimin e tij. Vendimi i gjykatës ishte i papritur, pasi po dje trupi gjykues shtyu seancën ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, gjatë të cilës avokatët e tij sollën si dëshmi letrën e kryeministrit të Kosovës, Thaçi me të cilën dëshmohej se Çeku ka status diplomatik, por edhe letrën e Kombeve të Bashkuara, në të cilën thuhej se i arrestuari është nën kompetencat e misionit të Kombeve të Bashkuara. Dëshmia e tretë e paraqitur ishte letra e kryesuesit të Komitetit për politikë të jashtme Solomon Pasi, i cili pohonte se Çeku ka pasur ftesë zyrtare për të vizituar Bullgarinë. Udhëheqësit në Prishtinë gjatë këtyre ditëve i kishin bërë thirrje Interpolit të ndërpriste praktikën e arrestimeve të qytetarëve të Kosovës mbi bazat e fletarresteve të Serbisë. Mediat e ndrshme thanë se Bullgaria është nën presion të fuqishëm nga përfaqësuesit e SHBA-së, Britanisë dhe Francës, të cilët kërkonin lirimin e menjëhershëm të ish-kryeministrit kosovar Agim Ceku. Në një artikull të të përditshmes beogradase “Danas” citohet zëdhënësi i ish- kryeministrit kosovar i cili përshkruante arrestimin e Çekut si një incident të papëlqyer. Sipas tij, Serbia prej vitesh ka humbur të drejtën mbi kontrollin e lëvizjeve të shtetasve kosovare dhe arrestimi është tërësisht i papranueshëm. Ai iu bëri thirrje organizatave ndërkombëtare të ndihmonin në ndalimin e arrestimeve me motive politike, të lëshuara nga qeveria e Milloshviçit, të cilat janë jofunksionale. Agim Çeku, u arrestua të martën në mbrëmje teksa hyri në territorin e Bullgarisë, nga një pikë kufitare me Maqedoninë, me një fletë arresti të Serbisë. Ai akuzohet për krime lufte ndaj serbëve gjatë luftës në Kosovë kur ka qenë ish-komandat i UÇK-së.