Në kryesinë e Kuvendit, kryeparlamnetari Gramoz Ruçi ka dhënë një deklaratë të përbashkët për mediat me kryetaren e Senatit të Holandës, Ankie Broekeres Knol.


Pavarësisht se Holanda ishte skeptikja më e madhe nga vendet anëtare dhe kushtëzoi një shtyrje të negociatave me Shqipërinë për në qershorin e vitit 2019, kryeparlamentarja holandeze theksoi se, Shqipëria është një vend evropian.


Shqipëria i përket Europës dhe familjes evropiane dhe për këtë gjë jam mëse  e bindur, tha Knol.


Ajo shtoi se vitin tjetër në qershor të gjithë do ti keni përmbushur të gjitha detyrimet tuaja për të hapur negociatat dhe për tu bërë anëtar të BE.


Pavarësisht bindjes se vendi ynë do të përgatitet në mënyrë perfekte për të hyrë në bisedime për anëtarësimin, Knol theksoi se këto 12 muaj do të jenë tepër të vështira dhe me kërkesa të larta nga BE.


Edhe pse ky do të jetë një vit shumë i vështirë mendoj se është mundësi e madhe që vitin tjetër askush të mos ketë mundësi të ankohet për çfarë Shqipëria nuk ka bërë. Si kryetare e Senatit holandez unë jam e emocionuar nga puna që keni bërë deri tani, tha ajo.


Kryeparlamentarja holandeze nënvizoi se Shqipëria ka bërë mirë me Vettingun dhe reformën në drejtësi, dy procese unike që sipas saj janë të vlefshme për të gjithë shoqërinë.


Shqipëria ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë në këtë drejtim. Unë jam e bindur se duke nisur nga tani për Shqipërinë do të thotë përmbushje e të gjitha kërkesave dhe detyrave dhe do të hapen negociatat për ju në qershor 2019 dhe rruga për anëtarësimin në BE. Do të kthehem në Hollandë me impresionet më të mira për Shqipërinë pas takimeve tona. Dhe ne këtë gjë e bëjmë të gjithë së bashku për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të ardhmen evropiane, tha Knol.


5 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)