Lea Ypi

Njerëzimi i shtron vetes vetëm probleme që e di paraprakisht se e ka aftësinë t’i zgjidhë” – ka shkruar dikur revolucionari mjekërgjatë, të cilin e kemi hedhur në bodrumin e rraqeve të historisë. Nëse kjo thënie ka ende vlerë, të paktën njëra nga forcat intelektuale që hapin e mbyllin pareshtur dosjen K. duke u rrekur t’i japin kuptim, gabon.
Gabojnë ata që ngulin këmbë se flasim përçart, kur flasim për lirinë, kur themi se në Shqipëri liria u mungon atyre që i mbyt lagështia nëpër dhoma spitalesh e që me zor e shtyjnë deri në fund të muajit, por jo atyre që përdridhen nëpër lokale e pispillosen nëpër televizione. Gabojnë edhe ata që deklarojnë se shqiptarët paskan çështje më urgjente për të zgjidhur sesa zgjerimi i të drejtave civile. Gabojnë sepse nuk konsiderojnë që K. vendos të rrëfehet pikërisht sot, është domethënës.
K. nuk është as i pari e as i fundit shqiptar me prirje seksuale alternative. Nuk është i pari që përballon ata që ngrenë supet e ata që përplasin këmbët, ata që tundin kokën e ata që mprehin thikat. Nuk është i fundit që përballohet me fyerjet e bashkëqytetarëve dhe apologjitë e analistëve.
K. është ndryshe. Ndryshe sepse vendos të rrëfehet. E përderisa vendos të rrëfehet, e di çfarë ka përpara dhe sidomos e di që nuk është vetëm. E di që shumë nga bashkëqytetarët e tij do t’i vërsulen, do ta fyejnë, do ta ngacmojnë. Por di edhe që, në dallim nga paraardhësit, atyre që u nxihej jeta ngaqë dënoheshin për vepra imorale, K. nuk ka nevojë të skuqet, të fshihet, të bëjë sikur. K. e di se në krah të tij do të marshojnë dhjetëra, ndoshta qindra qytetarë, analistë, akademikë, aktivistë që do të ulen e do t’i shpjegojnë banorëve lezhianë, e jo vetëm atyre, se homoseksualiteti nuk është krim, nuk është turp, nuk është sigurisht as modë. Shkurt, K. e di që është hero. Por hero i një çështjeje me zgjidhje!
Veç zgjidhja nuk jepet duke parë lart. Zgjidhja nuk jepet kur ata që valëvisin flamurin e ylbertë të çështjes K., ata që përfaqësojnë Shqipërinë e reformave, të përparimit, të ndarjes me të kaluarën, nxjerrin fletoret mbi tavolinë dhe marrin shënime tek u diktohet lista e ligjeve që Shqipërisë i nevojiten për t’u renditur mes shteteve të qytetëruar, apo kur marrin të komentojnë letrat e përfaqësuesve diplomatikë të të ashtuquajturave vende të përparuar, atyre që e vërejnë Shqipërinë me buzëqeshje gjysmë të ngazëllyer e gjysmë të mëshirshme, si ajo me të cilën vëren prindi fëmijën kur përsërit gabime të cilat më parë i ka bërë vetë, që i diktojnë standarde e i japin afate: kjo bëhet, kjo s’bëhet, këtu e keni mirë, aty e keni keq.
Zgjidhja nuk jepet as kur partia e përparimit merr tone kryqëzate për të vënë në pah mungesën e tolerancës, arsimimit, vullnetit për të kuptuar. Ose kur tallet me ata që nuk hedhin hapa me kohën. Kundërshtarët e K.-së nuk janë fanatikë të marrë. Nuk janë as kukulla që vihen në lëvizje nga forca të djallëzuara. Janë pjesë e Shqipërisë. E Shqipërisë që ngrihet në mëngjes, del për kafe e fillon bisedën: “E more vesh, filani kështu e ashtu”. “Shiko ajo ç’paska veshur”. “Dëgjo, mos i thuaj njeriu”. Kjo Shqipëri kërkon kohë për të kuptuar. Kërkon hapësirë për të thënë se ç’mendon. Ndoshta mendon gjërat e gabuara. Ndoshta mbron tradita që kanë zënë kore. Por mendimet e traditat nuk vërtiten duke i kthyer çështjet politike në probleme morale. Duke i urdhëruar shqiptarët si duhet të sillen, që të mos ndihen ngushtë kur të përballohen me pjesën e përparuar të botës. E drejta dhe e padrejta nuk mbllaçiten në faqe gazetash e as në mbledhje komisionesh. E drejta dhe e pa drejta janë pjesë e vullnetit politik, atij vullneti që shqiptarëve u mungon.
Pra çështja K. nuk është fatkeqësia e radhës e opinionit publik. është një nga ato probleme që ngrihen sepse ka mundësi t’u jepet zgjidhje. është një rast i rrallë, për sa i përket Shqipërisë. Ku vetë debati, për sa kohë mbetet i natyrshëm e i pakushtëzuar, përbën një hap përpara, një hap drejt sqarimit, në fund të fundit drejt progresit. Ku Shqipëria e emancipimit tërheq atë të status-quo-së. Ku vlerat në lojë janë pak a shumë të njohura, ku ndryshimi midis parimeve pasqyrohet në konfliktet e opinioneve.
Ndryshe nga shumë e shumë çështje të tjera nga ato me të cilat shqiptarët përballen çdo ditë dhe mbi të cilat nuk dinë se ç’të mendojnë, çështja K. ka një përgjigje që është vetëm çështje kohe. E prandaj nuk kanë pse protestojnë.