Top Talk është fokusuar këtë të mërkurë tek ekonomia, ku pjesë e panelit ka qenë eksperti i ekonomisë dhe financave, profesor Adrian Civici. Një prej temave ku u fokusua diskutimi ishte edhe zhvlerësimi i çuditshëm i euros gjatë 2018-s përballë lekut.


Sipas Civicit nuk kemi të bëjmë me një forcim të monedhës shqiptare, por një zhvlerësim të euros në tregun shqiptar.


Po të ishte një fenomen brenda Eurozonës, apo në arenën ndërkombëtare mund të shikohej si një politikë Bankës Qendrore të Eurozonës. Por kjo luhatje ka ndodhur në tregun e brendshëm. Mbi 90% e këtij efekti është një fenomen brenda tregut shqiptar. Kjo ka filluar si fenomen që pas 2015-s, por është theksuar kryesisht këtë vit, veçanërisht dy javët e fundit, u shpreh Civici.


Më tej ai sqaron se ky fenomen në thelb tregon sasinë e madhe të eurove që ndodhen në Shqipëri, por që padyshim një pjesë të mirë të ndikimit kanë edhe paratë e pista që futen në vend nga aktiviteti kriminal i shqiptarëve në BE.


Në thelb kjo tregon sasinë e madhe të eurove që ndodhen në Shqipëri. Por ndikim kanë edhe e paratë e pista, të cilat përmes kanaleve të ndryshme vijnë në Shqipëri, u shpreh Civici.


Por kjo luhatje kaq e madhe ka ndikim pozitiv, apo negativ në ekonomi?


Në Shqipëri përdoren të dyja monedha dhe niveli i eurozimit vijon të jetë i lartë në vend, afro 30-40 % e tregut. Kjo bën që luhatja të mos sjeëë efekte 100% pozitive, apo 100% negative në ekonomi. Kemi njerëz që kanë marrë kredi në euro dhe tani paguajnë më pak, po kemi edhe kemi biznese që eksportojnë dhe të ardhurat e tyre ulen, sqaron Civici.


Në studion e Top Talk u diskutua edhe për çmimin e lartë të karburantit në vend, ku rritjet reflektohen menjëherë, ndërsa ulja e çmimit është thuajse inekzistente.


Eksperti Civici e argumenton çmimin e lartë të karburantit krahasuar me vendet e rajonit e shumicën e shteteve në botë me faktin se brenda tij janë të inkorperuara një sërë taksash.


Por ky nuk është problemi i vetëm për konsumatorin shqiptar, një fakt shqetësues është reflektimi i menjëhershëm i çmimit të karburanteve kur rritet çmimi në bursë, e ndryshimi thuajse inekzistent kur çmimi në bursë bie.


Ne kemi të inkorperuar një sërë taksash brenda çmimit të naftës. Mos reflektimi i uljes së çmimit të naftës vjen sepse tregtarët rrisin fitimin e nuk i përgjigjen një tregu transparent, u shpreh Civici.


Eksperti i ekonomisë dhe financave ka treguar edhe 3 risqet për ekonominë shqiptare gjatë vitit 2019.


Risku i parë sipas tij është ai politik, pasi mund të kemi konflikte politike. Element i dytë i risku për ekonominë shqiptare është edhe kriza ekonomike, rajonale apo ndërkombëtare.


Siç shprehet Civici, ekonomia shqiptare është e varuar nga këto ndryshime.


Ndërsa, risku i tretë sipas Civivit, lidhet me vetë strukturën e ekonomisë tonë.


Jemi një ekonomi tregtare, jo një ekonomi prodhuese, thekson ai.


26 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)