Nga Hasan Sinani, Vlorë


Futbolli shqiptar është në krizë (dhe jo vetëm sot) dhe këtë e vërtetojnë stadiumet e zbrazëta. Kjo krizë vjen jo nga mungesa e talenteve të reja apo prej mungesës së investimeve për krijimin e mjediseve të përshtatshme dhe mbajtjen e ekipeve, por se futbollit tonë i mungojnë themelet.
Po pse i mungojnë themelet futbollit tonë? Nga ndjekja e zhvillimeve sportive si dhe nga përvoja vetjake për përgatitjen e ekipeve të moshave të vogla, kemi arritur në përfundimin se futbollit tonë, përvec së tjerash, i mungojnë skajshëm disa gjëra themelore, sic janë teknika individuale, teknika e gjuajtjeve (nëse vetë futbolli është art, gjuajtjet janë maja e këtij arti) dhe, në një masë të konsiderueshme, aftësia për përdorimin e topit me këmbën e kundërt. Këto mungesa janë lehtësisht të verifikueshme, mjafton të testohet cdo grup i cdo moshe qoftë.
Nga përvoja disavjecare si ndihmës teknik i futbollistit Lato Gjondeda me grupe moshore të ndryshme, duke filluar me 17-vjecarët e Flamurtarit dhe më pas duke u marrë me grupe të rinjsh moshash të ndryshme, jam bindur se mangësitë e mësipërme mund të korrigjohen shumë shpejt. Për të ndryshuar këtë gjendje sipas meje alarmante, do të propozoja disa strategji afatgjata dhe afatshkurtra
Si strategji afatgjatë do të ishte ndryshimi i menjëhershëm i punës me moshat e vogla. Ndoshta mendimi im mund të vlerësohet i gabuar, por jam i bindur se ka ardhur koha që specialistët më në zë të kësaj fushe duhet të diskutojnë dhe të vendosin për hedhjen e hapave të parë për ndërtimin e një shkolle modeste, por të mirëfilltë të futbollit shqiptar.
Për emergjencë, do të propozoja që klubet e futbollit, vecanërisht ato që investojnë më shumë, të fillojnë menjëherë punën në grupe të vogla me 6-8 vetë, dhe fillimisht vetëm në kalceto. Këtu futbollistët do të marrin ato elemente që u mungojnë dhe në një kohë rekord. Kjo gjë nuk mund të realizohet duke punuar në grup me tërë ekipin.
Vecse këtë punë nuk mund ta bëjë kushdo. Atë mund ta bëjnë vetëm njerëzit pasionantë, me durim e vullnet të fortë, pa vese, ata që kanë aftësi demonstruese e transmetuese. Nuk ka gjë më të lehtë për t'u asimiluar sesa t'u thuash djemve: "Bëje kështu si e bëj unë!" Duke e njohur mirë futbollin shqiptar, e di se të tillë teknikë të futbollit ka plot, ata duhen seleksionuar dhe afruar. Vërtet, këta nuk mund të luajnë rolin e trajnerit të ekipit, jo se këto detyra janë dy gjëra krejt të kundërta, por se secila ka specifikën e vet. Këta teknikë mund ta bëjnë shumë mirë përgatitjen teknike në grupe të vogla të futbollistëve, pa dallim moshe.
Po të punohet në këtë mënyrë, ndryshimi do të duket që me mbarimin e javës së parë të stërvitjes, gjë që e kemi vërejtur vetë gjatë stërvitjes në kalceto të grupeve të të rinjve.
Dashuria për futbollin dhe përvoja vetjake si futbollist e si teknik me ekipe të rinjsh në qytetin e Vlorës, më shtyn t'u bëj thirrje gazetarëve dhe analistëve sportivë, specialistëve dhe trajnerëve të futbollit dhe atyre që investojnë vlera materiale për zhvillimin e këtij sporti, t'i bashkohen nismës sime. Me këtë mënyrë të punuari do të rritet spektakli, do të argëtohen shikuesit, do të mbushen stadiumet dhe futbolli ynë jo vetëm do të arrijë shpejt nivelet më të mira të së shkuarës, po edhe do t'i kapërcejë ato. Kush do ndryshim, le të bashkohet.
Vecanërisht drejtuesit dhe specialistët e Federatës, si kupola e futbollit tonë, duhet të lëvizin më shumë dhe jo vetëm fizikisht. Mendoj se është detyra e tyre t'i kushtojnë më shumë rëndësi përmbajtjes së punës sesa formës së saj dhe të futin ide të reja e bashkëkohore për përgatitjen e brezave të rinj të futbollistëve. Nuk mund të ketë kombëtare të madhe konkurruese pa kombëtare të vogla konkurruese, deri te Shpresat. Të synosh të kundërtën, është njëlloj sikur të pranosh që një godinë shumëkatëshe ta fillosh nga soleta e katit të sipërm.
Le te fillojmë, pra, hedhjen e themeleve.