Departamenti amerikan i Shtetit dhe ai i Mbrojtjes kanë rënë dakord që kufizojnë dëmet diplomatike ndaj Katarit, vend i cili është qendra rajonale e operacioneve ajrore të ushtrisë amerikane në Lindjen e Mesme.


Presidenti Donald Trump filloi ditën duke u marrë një nga një me monarkitë e Gjirit, të cilat kanë kufizuar fuqimisht Katarin ditët e fundit. Trump ishte pak ditë më parë në Riad, ndërsa takoi udhëheqësit rajonalë, përfshirë këtu edhe emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.


Ai tha se SHBA-të dhe Katari ishin miq për një kohë të gjatë  dhe se dy udhëheqësit diskutuan për blerjen e shumë pajisjeve ushtarake amerikane nga vendi i vogël i Gjirit.


Por vetëm dy javë më vonë, Riadi prishi të gjitha lidhjet me Katarin dhe Trump ofroi mbështetje për këtë veprim, duke pretenduar se të gjithë udhëheqësit kur flasin për financimin e ideologjisë radikale, tregojnë për Katarin.


Marrëdhëniet amerikane me Katarin kanë qenë prej kohësh të komplikuara nga promovimi i Dohas për një formë konservatore dhe të rreptë të Islamit sunit, vehabizëm, nga të cilat shumë grupe ekstremiste pretendojnë të marrin frymëzim dhe mbështetjen e grupeve ekstremiste në vende të tjera të rajonit.


Megjithatë, të njëjtat çështje kanë errësuar marrëdhëniet me Arabinë Saudite.


Për më tepër, baza al-Udeid jashtë Dohës është qendra për operacionet ajrore të SHBA mbi Sirinë, Irakun, Jemenin dhe Afganistanin. Baza është kritike për sulmet kundër ISIS-t në Raqqa.


Departamenti i Mbrojtjes vlerësoi Katarin për pritjen e forcave amerikane dhe “angazhimin e tij të vazhdueshëm ndaj sigurisë rajonale”.


Një zëdhënës i Pentagonit, Capt Jeff Davis, tha se ai nuk ishte i kualifikuar për t’iu përgjigjur një pyetjeje nëse Katari mbështet terrorizmin.


“Unë nuk jam personi i duhur për t’u përgjigjur. Unë i konsideroj ata një mikpritës për bazën tonë shumë të rëndësishme në al-Udeid”, tha Davis.


Zëdhënësja e re në departamentin e shtetit, Heather Nauert, u bombardua me pyetje të ngjashme. Ajo i bëri jehonë shprehjeve të Pentagonit për mirënjohje dhe pranoi se Doha kishte bërë hapa të mëdha në uljen e fondeve për grupet terroriste.


Sekretari i mbrojtjes i SHBA, James Mattis, gjithashtu foli me homologun e tij të Katarit për të shprehur angazhimin për sigurinë e rajonit të Gjirit.


Katari pret 10,000 ushtarakë amerikanë në bazën al-Udeid.


/Ora News.tv/


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter