331 pes – Aleksandri i Madh del fitues ndaj Darit III të Persisë në Betejën e Gaugamelas, diku në afërsi të Mosulit të sotëm në Irak. Pas përleshjes, e njohur edhe si Beteja e Arbelas, Dari ikën duke u thënë ushtarëve që e shoqëronin se po shkonin në pjesën lindore të perandorisë për t’u rigrupuar. Në të njëjtën kohë, Dari u dërgoi mesazhe mëkëmbësve të tij që t’i qëndronin besnikë. Por, këta kishin qëllime të tjera. Bessus, oficer i lartë tepër i afërt e vrau Darin para se të nisej drejt lindjes. Kur Aleksandri mësoi se Dari ishte vrarë, ai u pikëllua thellë që një armik të cilin e respektonte, u vra në një mënyrë kaq të ulët. Aleksandri organizoi një ceremoni madhështore varrimi për Darin; pastaj i zemëruar u vu në ndjekje të Bessus, e kapi dhe e ekzekutoi. Historianët thonë se Perandoria Persiane de-facto morri fund me vdekjen e Darit.


1880 – Thomas Edison hap fabrikën e parë për prodhimin e llampave elektrike. Ai i kishte premtuar bashkisë së Nju Jorkut për ndriçimin e qytetit me rastin e Krishtlindjeve.


1908 – Kompania Ford nxjerr në treg makinën Model-T me një çmim prej 825 dollarësh duke e bërë automobilin të përballueshëm për gjithnjë e më shumë amerikanë.


1936 – Francisko Franko emërohet kreu i qeverisë së Spanjës nga një grup ushtarakësh që sapo kishte rrëzuar qeverinë republikane të udhëhequr nga Fronti Popullor. Kjo ngjarje i dha shkas shpërthimit të luftës civile në vend. Më 1939, Franko do të shpallej diktator, dhe qëndroi në pushtet derisa vdiq më 1975.


1943 – Në afërsi të Pejës, lind Jusuf Gervalla – studioi në Kosovë e Slloveni, punoi si gazetar në Prishtinë e Shkup, krijoi një lëvizje klandestine për çlirimin e Kosovës, por u detyrua te ikte nga vendi.


jusufgervallav


Në vitin 1982, Gërvalla u vra nga persona të panjohur pranë shtëpisë së tij në periferi të Shtutgardit, Gjermani. Nga të shtënat, krahas tij, mbetën të vrarë i vëllai Bardhosh Gërvalla dhe shoku i tij Kadri Zeka. Vrasja e trefishtë, për të cilën dyshimet ranë mbi sigurimin jugosllav, shkaktoi zemërim mes shqiptarëve në Kosovë dhe jashtë. Studiuesi Robert Elsie thotë se disa vëzhgues e cilësojnë këtë vrasje si pikë-nisjen e konfliktit të armatosur midis shqiptarëve dhe autoriteteve serbe në Kosovë. Jusuf Gervalla ishte edhe shkrimtar e poet.


1946 – Gjyqi i Nurembergut dënon 22 udhëheqës nazistë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.Në mes të të dënuarve, me varje, ishin Joachim von Ribbentrop, ministri nazist i Punëve të Jashtme; Hermann Goering, themeluesi i Gestapos dhe kryetar i forcave ajrore gjermane; dhe Wilhelm Frick, Ministri i Brendshëm. Shtatë persona të tjerë, përfshirë Rudolf Hess, ish-zëvendësi i Adolf Hitlerit, u dënuan me 10 vjet burg. Tre të tjerët u liruan. Procesi gjyqësor, që zgjati rreth 10 muaj, u drejtua nga një gjykatë ndërkombëtare e përbërë nga përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik, Franca dhe Britania e Madhe. Ky ishte gjyqi i parë i këtij lloji në histori dhe të akuzuarit u përballën me akuza për krime kundër paqes, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Më 16 tetor, 10 nga arkitektët e politikave naziste u ekzekutuan me varje. Hermann Goering, i cili në vendimin e gjykatës u etiketua si drejtues i luftës agresive dhe krijuesi i programit tiranik kundër hebrenjve u helmua në prag të ekzekutimit të tij. Lideri i Partisë Naziste Martin Bormann u dënua me vdekje në mungesë; ai ka vdekur në Berlin në fund të luftës.


1949 – Mao Ce Duni shpall krijimin e Republikës Popullore të Kinës e cila përfshin Kinën kontinentale dhe dy rajone administrative, Hong Kong dhe Makao. Vendimi pasoi përfundimin e luftës civile midis forcave komuniste dhe ushtrisë së Republikës së Kinës, e themeluar që në vitin 1911/1912. Kjo republikë doli e humbur nga lufta por ruajti kontrollin e Tajvanit dhe disa grupe ishujsh aty pranë me një popullsi prej rreth 9 milionë banorësh. Për shumë vite, të dyja Republikat pretendonin se ishin qeveria e vetme legjitime e Kinës. Para vitit 1970, Republika e Kinës (Taivani) njihej nga shumë vende dhe nga Kombet e Bashkuara si qeveria e vetme legjitime – ajo kishte qenë anëtare themeluese e Kombeve të Bashkuara dhe një nga pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit. Kjo zgjati deri më 28 tetor 1971, kur përfaqësuesi i Republikës së Kinës në OKB u zëvendësua nga përfaqësuesi i Republikës Popullore të Kinës, pasi Asambleja e Përgjithshme miratoi projekt-rezolutën e paraqitur nga Shqipëria.


1957 – Në kartëmonedhën amerikane shfaqet për herë të parë shprehja “In God We Trust” si alternativë apo zëvendësuese e motos jo-zyrtare E pluribus unum.


1456961003481-cached


Disa thonë se shprehja Në Zot ne besojmë është marrë nga himni i Amerikës “The Star-Spangled Banner”. Strofa e katërt përfshin frazën, “Dhe kjo të jetë motoja jonë: Në Zot është besimi ynë. Feisal Abdul Rauf, imam mysliman shkruan se fraza “Në Zot ne besojmë” përkon me mësimin islam, dhe ofron dy paragrafe nga Kur’ani (3:193 dhe 2:285). Në mënyrë të ngjashme, Melkote Ramaswamy, dijetar amerikan hindu, shkruan se prania e frazës “Në Zot ne besojmë” në monedhën amerikane është kujtesë se Perëndia ndodhet kudo, pavarësisht nëse jemi të ndërgjegjshëm apo jo. Në judaizëm dhe krishtërim, motoja “Në Zot ne besojmë ” ngjason me vargje nga Bibla, përfshi Psalmet (118:8, 40:3, 73:28) dhe Fjalët e Urta (29:25). Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, të gjitha shkollat publike në Shtetet e Bashkuara u pajisën me parulla “In God We Trust” të cilat u vendosën në zyra, biblioteka, kafene, korridore dhe klasa.


1971 – Për herë të parë në historinë e mjekësisë, në spitalin Morley në Londër realizohet skanimi i trurit duke përdorur mënyrën CAT me rreze-x.


1991 – Shënohet për herë të parë Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, për të shtuar vetëdijen publike rreth çështjeve që prekin të moshuarit. Në disa vende kjo ditë njihet edhe si Dita e Gjyshërve dhe Gjysheve për të vlerësuar ndihmesën e të moshuarve në shoqëri, përfshi sjelljen në jetë të brezit të ri.