Motër e vëlla, të arrestuar si pjesë e një grupi që prodhonin mina me telekomandë, u paraqitën në Gjykatën e Lezhës për masën e sigurisë. Një situatë e rënduar për ta dhe babain e tyre, Ilmi Lukani, që teksa qëndronte para gjykatës, fëmijët e tij zbritën nga furgoni i policisë të shoqëruar nga efektivët për të hyrë në seancë gjyqësore. Vajza e tij, e martuar, dhe e cila është shtatzënë, hyri duke qarë në ambientet e gjykatës. Pas saj u shoqërua edhe vëllai, ndërsa i përlotur shumë pranë tyre qëndronte babai, i cili nuk mund të bënte asgjë për fëmijët e tij. Dëgjohet vetëm të thotë: Çfarë më bëre o bir?!


Vajza shtatzënë, Amelda Elezi 21 vjeçe hyri duke qarë në ambientet e gjykatës. Një situatë të cilën nuk mund ta përballojë, veçanërisht në gjendjen e saj.


Në një prononcim për Report Tv, babai i tyre, thotë se nuk kanë lidhje me ngjarjen kriminale. Djali i tij Armand Lukani 23 vjeç, punon në bujqësi – thotë Ilmiu – dhe kurrë më parë nuk është ndaluar nga policia.


“Djali ka qenë në punë, e dija që ishte në punë. Më lajmëruan erdhi policia bëri kontroll, më lajmëruan që është kapur me lëndë narkotike dhe mina plasëse. Djali nuk ka prodhuar kurrë mina, punonte bujqësi, pastrim, mblidhte bimë mjekësore në Vlorë. Djali im nuk është ndaluar kurrë më parë. Nuk kemi marrë avokat, nuk kam mundësi, gjendje ekonomike e dobët. Djali im është i pafajshëm”, shprehet për Report Tv, Ilmi Lukani, teksa nuk arrin të mbajë dot lotët.


Armand Lukani dhe motra e tij Amelda Elezi u arrestuan më 2 prill gjatë një operacioni të policisë së Lezhës ku u sekuestruan tre mina të montuara me telekomandë.


Në kërkim është bashkëshorti i Almedës, Esmerald Elezi, 27 vjeç me banim në Vlorë, i cili është i dënuar më parë.


Motër e vëlla, të dy me banim në Vlorë, ku e reja është martuar, u arrestuan në flagrancë në qytetin e Lezhës, pasi nga kontrolli në çantat e tyre u gjetën të fshehura 3 mina me shpërthim të telekomanduar nëpërmjet celularit, si dhe një sasi prej 2.3 kg lënde narkotike e dyshuar marijuanë. Minat dyshohet se i shisni minat me një çmim rreth 2500 euro.