kulicajAgron Kuliçaj, ish-truproja personale i Sali Berishës ishte një nga krerët më të lartë të policisë shqiptare.


Pas largimit nga policia e shtetit me humbjen e PD-së në zgjedhje ai është këshilltar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i emëruar aty me kërkesë të posaçme të PD.


Wikileaks ka zbuluar një material konfidencial të Ambasadës për Departamentin Amerikan të Shtetit ku Kuliçaj akuzohet për korrupsion dhe për më tepër lidhje me krimin.


Madje, sipas ambasadës, Kuliçaj ka lidhje edhe me masakrën e gushtit 2009 ku humbën jetën katër policë.


Kabllogrami i publikuar nga DITA nxjerr edhe një raport ndryshe nga ai që njeh publiku mes ish-drejtorit Burgaj dhe Kuliçajt.


Më poshtë kabllogrami i plotë.


Titulli: Rokada në polici zbulon një të paprekshëm


Datë 25 nëntor 2009


Dërguar nga Ambasada Amerikane në Tiranë


Merr Departamenti Amerikan i Shtetit


Firmosur: Ambasadori Xhon Uidhers


Klasifikuar si Material konfidencial


Pas një jave në krye të detyrës, drejtori i sapoemëruar i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj prezantoi dorëheqjen e pothuajse të gjithë drejtorëve të policisë në nivel rajonal dhe funksional. Dy javë më pas Burgaj bëri ndryshime të ngjashme të stafit në policinë kufitare. Teksa shpejtësia e rokadës kapi kritikët dhe donatorët ndërkombëtarë në surprizë, ambasada është dakord me misionin PAMECA dhe ndryshimet ishin në zbatim të rregullores dhe shumë prej tyre janë lëvizje pozitive.


Gjithsesi, ambasada mbetet e shqetësuar në lidhje me Agron Kuliçaj, i cili nuk është prekur nga kjo rokadë. Burimet thonë se Kuliçaj është i korruptuar dhe donatorët ndërkombëtarë refuzojnë që të ndihmojnë policinë shqiptare për shkak të prezencës së tij.


Ambasadori i ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me korrupsionin në nivelet e larta të policisë shqiptare ministrit Basha ndërsa përfaqësuesi i ambasadës në ICITAP ka shprehur shqetësimet konkrete për Kuliçajn tek Burgaj.


Burgaj i ka thënë se Kuliçaj është i lidhur ngushtë me kryeministrin Berisha dhe çdo përpjekje për të larguar ose detyruar atë që të dorëhiqet duhet të vijë nga zyra e kryeministrit.


Në 29 tetor Burgaj u emërua nga Këshilli i Ministrave për të zëvendësuar Ahmet Prençin. Fjalë nga të gjitha anët tregojnë se edhe pse Prençi dha dorëheqjen për arsye shëndetësore, arsyeja e vërtetë që ai u largua është keqmenaxhimi i operacionit për arrestimi e një figurë të krimit, Dritan Dajtit në gusht.


Burgaj ishte më parë zëvendësi i Prençit dhe ka reputacion të mirë. Deri më sot, ambasada ka qenë e kënaqur me performancën e Burgajt. Pak kohë pas emërimit, Burgaj i tregoi ambasadës qëllimin e tij për të bërë ndryshime të mëdha në Policinë e Shtetit


Ambasada britanike ka ngritur shqetësime në lidhje me dorëheqjen e Arjan Muçës nga drejtoria e krimit të organizuar për tu bërë këshilltar i Burgajt. Shqetësimet e britanikëve kanë të bëjnë me investimin që ka bërë BE-ja në drejtorinë kundër krimit të organizuar


Një drejtor që nuk u prek nga rokada ishte Agron Kuliçaj, kreu i inteligjencës, i cili besohet gjerësisht se është i korruptuar. Burimet i kanë thënë ambasadës se disa donatorë europianë refuzojnë të përfshihen me policinë veçanërisht për shkak të prezencës së Kuliçajt. Ne kemi arsye të besojmë se kjo është një e vërtetë edhe për disa agjenci amerikane.


Jo vetëm që praktikat korruptive të Kuliçajt janë shumë të njohura, por ka fjalë se ai mund të jetë i implikuar në shpartallimin e policisë gjatë operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit në gusht. Dajti kishte marrë një spiunim nga brenda dhe disa oficerë policie humbën jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit. Njerëz brenda policisë besojnë se Kuliçaj mund të ketë ndihmuar Dritan Dajtin ti shpëtojë tentativave të mëparshme për ta arrestuar.


Sipas burimeve policore, zyrtarë të lartë të policisë vendosën të ndërhynin kundër Dajtit në gusht të këtij viti sepse në atë Kuliçaj ishte jashtë Shqipërisë dhe teorikisht nuk kishte mundësi të informonte Dajtin.


Ambasadori ia tha ministrit Basha shqetësimet tona për korrupsionin në nivelet e larta të policisë shqiptare. Javën e kaluar ICITAP foli me Burgajn për shqetësimet konkrete për Kuliçajn.


Burgaj i tha se ai vetë kishte probleme me Kuliçajn dhe se zyrtarë të tjerë të policisë ishin të shqetësuar për lidhjet dhe përfshirjen e tij në krimin e organizuar. Burgaj saktësoi se ai nuk kishte fuqinë për të transferuar ose shkarkuar Kuliçaj për shkak të lidhjeve që ka me kryeministrin Berisha.


Burgaj sugjeroi që nëse Ambasada kishte shqetësime, duhet të ngrinte ato tek Berisha sepse vetëm ai mund të marrë vendime në lidhje me detyrën e Kuliçajt.


Dita