TIRANE - Kur kanë kaluar plot tri vite nga vrasjet e 21 janarit, në familjen e Hekuran Dedës, i vrarë gjatë demonstratës, ndihet ende dhimbja e asaj dite. Përveç kësaj, dy vajzat e tij të vogla duhet të përjetojnë edhe skamjen dhe mjerimin, për shkak se shteti nuk u ka dhënë ndihmën sociale. Vetëm katër ditë para ndërrimit të viteve, kryeministri Edi Rama vizitoi këtë familje, kthyer tashmë në traditë për kreun e qeverisë sonë. “Erdhi në shenjë mirësjelljeje dhe ngushëllimi. U solli lodra fëmijëve”, rrëfen për “Gazetën Shqiptare”, Zabit Deda, vëllai i Hekuranit.
Z.Deda, vetëm pak ditë më parë, me rastin e festave të fundvitit, kryeministri Edi Rama ishte për vizitë në familjen tuaj. Për çfarë diskutuat gjatë kësaj vizite?
Në këtë vizitë nuk diskutuam asgjë për vrasjen e vëllait tim. Kryeministri nuk na premtoi asgjë dhe as ne nuk i kërkuam asgjë. Vizita e kryeministrit ishte thjesht një vizitë mirësjelljeje, një vizitë ngushëllimi për vrasjen e vëllait tonë, meqë ishin edhe festat e fundvitit.
Sa zgjati kjo vizitë?
Kryeministri qëndroi në shtëpinë tonë rreth 15 minuta. U solli disa lodra fëmijëve tanë. Por, nuk folëm për vrasjen e vëllait tim. Kryeministri donte që të na gjendej pranë ditët e festave.
Si e festuat Vitin e Ri ju dhe familja e vëllait tuaj, Hekuranit?
Ne nuk e festuam Vitin e Ri, sepse në 1 janarin e vitit të kaluar na vdiq babai dhe nuk bëmë festë. Vetëm fëmijët u mblodhën dhe luajtën pak me lodrat që u solli kryeministri. Përveç kësaj, ne jemi edhe shumë keq nga gjendja ekonomike. Nuk marrim as ndihmë sociale nga shteti.
Pse nuk ju japin ndihmë ekonomike?
Gjendja ekonomike në familjen tonë, si në familjen time, edhe në atë të vëllait, është shumë e rëndë. As familja e vëllait tim, as familja ime, nuk kemi përfituar nga ndihma sociale. Kreu i Bashkisë së Kamzës, - aty ku jetojmë ne dhe kemi dokumentet, - sa herë kemi shkuar për ndihmën ekonomike na ka thënë që nuk na takon, as mua, as familjes së Hekuranit. Në shtëpinë e vëllait tim, përveç dhimbjes, duhet të përballojnë edhe vështirësitë e jetesës.
Çfarë do të bëni sot?
Do të rikujtojmë familjarët tanë, duke dalë sërish në protestë bashkë me familjarët e tri viktimave të tjera. Do dalim për të rikujtuar edhe njëherë familjarët tanë që u vranë, plagën që kurrë nuk do të vdesë. Sot do kërkojmë drejtësi dhe ndëshkimin e fajtorëve që sot lëvizin të lirë.
Për familjen tuaj, cili është autori i vrasjes së vëllait tuaj, pasi deri më tani nga gjykata nuk është përcaktuar asnjë i tillë?
Vrasësi i vëllait tim është Agim Llupo, ai i mori jetën me plumb vëllait tim të ndjerë. Por, autori i vëllait tim u la i lirë nga gjyqtarët e korruptuar të Sali Berishës. Por, ne presim që drejtësia një ditë të vërë pas hekurave Agim Llupon.
Vetëm pak kohë më parë u arrestua ish-gardisti Fatos Skeja. Si ndiheni për këtë?
Edhe pse nuk është në burg për ngjarjen tonë, ai njeri e meriton të qëndrojë në burg. Ai erdhi në shtëpinë tonë dhe na kërcënoi, madje na ofroi dhe para. Në fund na paditi në gjykatë dhe patëm shumë telashe. Ndihem mirë që ai njeri është në burg, sepse erdhi në familjen tonë kur na kishte rënë tragjedi dhe tani që ndodhet pas hekurave, po lan haqet tona.
MARK NIKA, XHAXHAI I ALEKSIT
Babai i dy vajzave të vogla u vra tre vjet më parë me një plumb në kokë, gjatë protestës së 21 janarit. Vrasja e Aleks Nikës ka ngelur e pazbardhur, ndërkohë që familjarët e tij kërkojnë drejtësi.
Mark, sot mbushen plot tre vjet nga vdekja e nipit tuaj, Aleksit. Pse nuk është zbardhur akoma vrasja e tij?
Vrasja është ende e pazbardhur për aq kohë sa Prokuroria e Përgjithshme e zvarrit çështjen. Unë nuk e di se pse ky institucion hesht, kur të gjitha faktet janë të filmuara dhe krimi nuk ka se pse të mos zbardhet. Nuk e kuptoj se përse nuk e thërrasin në pyetje ish-ministrin e Jashtëm, i cili ka dezinformuar duke formuluar qarkoren se ishte një grusht shteti. Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, nuk ka zbatuar urdhrat e Prokurorisë për ndalimin e personave të caktuar përgjegjës për vrasjen e nipit tim. Vrasësit ndodhen në parlament dhe unë nuk e kuptoj se përse duhet që të gjithë të heshtin, u bënë tre vjet që askush nuk flet. Unë nuk kam asnjë akuzë për asnjë person në mënyrë konkrete, por di të them se shteti vrau njerëz të pafajshëm. Vrasësit vishen me kostume 10 mijë euro, ndërsa fëmijët e nipit tim nuk kanë më baba.
Kush duhet të flasë tjetër përveç Prokurorisë?
Patjetër që drejtësia duhet të thotë fjalën e saj. Ne kemi pasur shumë pretendime për këtë çështje, për deformimin e plumbit, për faktin që nuk janë pyetur personat që ishin dëshmitarë në momentin që u qëllua nipi im.
Sot, ku do e kujtoni nipin tuaj?
Do jem në bulevard, aty ku do të mblidhen shumë qytetarë për të kujtuar viktimat e 21 janarit. Na kanë bërë ftesë nga qeveria që të kujtojmë viktimat në një formë përkujtimore. Na kanë thënë që do i shpallin dëshmorë të atdheut, por presim tani; të paktën familja e tij të marrë një pension.
Keni besim tek qeveria e re?
Kryeministri i qeverisë së re ka thënë disa herë që do zbardhet çështja e 21 janarit, për të çuar deri në fund masakrën e kësaj dite.
MOTRA E ZIVER VEIZIT, TRENDAFILJA
Lotët e Anës, vajzës së vogël të Ziverit, një prej viktimave të 21 janarit, ende nuk janë tharë.
Çfarë prisni pas këtij 21 janari?
Presim që qeveria të zbardhë të vërtetën. Kemi besim të plotë tek qeveria e re. Sot, unë bashkë me dy fëmijët e vëllait tim, kemi ardhur në Tiranë dhe sot do dalim në bulevard që të kujtojmë viktimat e 21 janarit.
A janë tharë lotët e Anës, vajzës së vëllait tuaj?
Ana do dalë sot në bulevard që të kujtojë babain e saj. Lotët e saj nuk do të thahen kurrë, si atë ditë kur mori vesh për vrasjen e babait të saj. Lotët e saj kërkojnë drejtësi.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Përkujtohet “21 Janari”, ceremonia në Bulevardin para Kryeministrisë