Ka përfunduar protesta e organizuar nga Grupi i Qytetarëve, për tu rikthyer përsëri në ditët në vazhdim.


Njëri nga organizatorët, Yll Rugova tha se kjo protestë nuk ishte vetëm kundër KEK-ut, por edhe kundër uji, shëndetësorit e të gjithë hajnisë në institucionet publike. “Ne do të vazhdojmë me protesta, derisa secili hajn të hynë në burg, dhe secili qytetarë të kompensohet nga hajnia që ia bëri KEK. Kjo protestë ka nis për KEK-un, por hajnit do të na bashkojnë dhe ne do e grisim zërin kundër tyre”, tha Rugova.


Avni Zogjani nga organizata “Çohu” ka hedhur kritika në drejtim të të gjithë klasës politike në pushtet, për korrupsion.


“Jemi sot këtu, të thirrur nga Grupi i Qytetarëve të organizuar për ta denoncuar hajninë. Shumica e ministrave të qeverisë së Kosovës erdhën në Prishtinë me halle të mëdha financiare. Ata sot janë kthyer ne milioner. Ata nuk i kanë milionat nga fabrikat, sepse kur erdhën në qeveri, fabrika nuk kishin. Ata nuk i kanë milionat nga idetë e tyre, sepse ide nuk kishin. Ata nuk i kanë milionat nga shitja e pikturave të trashëguara nga prindërit e tyre, sepse një prejardhje të tillë nuk e kishin. Ata kanë milionat, sepse shitën zyrat publike për klientët e tyre. Ata janë milionerë sepse bënë një privatizim që varfëroi ekonominë, janë milionerë sepse vazhdojnë të shesin territor të Kosovës”, ka thënë Zogiani.




Sipas tij, kjo qeveri kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të policisë, dhe se po përdorin policinë për ta mbrojtur veten e jo për ta zbatuar ligjin.

 ............................


Grupi i qytetarëve po mban protestën e tetë me radhë kundër KEK-ut.


"Na i vodhën xhepat tani edhe shtetin, stop hajnisë", "Kush vjedh pak hynë në burg, kush vjedh shumë (vota dhe euro) bëhet kryeministër", janë disa nga parullat e qytetarëve.


Protesta ka nisur në ora 12.00 dhe qytetarët e tubuar janë nisur nga objekti qendror i KEK-ut, në drejtim të Sheshit Zahir Pajaziti me vazhdim te objekti i Qeverisë.


Protestës edhe këtë herë iu kanë bashkangjitur dhjetëra organizata joqeveritare, organizatat studentore, subjektet politike, sindikatat dhe grupet e artistëve. Me komunikata të veçanta që janë dërguar ditët e fundit, ato organizata e kanë shprehur përkrahjen e tyre për këtë protestë të sotshme./Indeksonline/