Blerjet e bujshme të Zlatan Ibrahimoviç, Tiago Silvës apo Ezekuel Lavecit, ndoshta nuk kanë mjaftuar. Shpenzimi i 200 milionë eurove në merkato në harkun e një viti kalendarik duket se nuk u ka hyrë në sy pronarëve të Paris Saint Germain. Investimet marramendëse të sheikëve nga Katari, ku më shumë është debatuar rroga prej 14 milionë eurosh e Ibrahimoviç, ka bërë që askush të mos e frenojë fantazinë. Përkundrazi, tashmë mediat franceze nënvijëzojnë se objektivi i radhës për PSG-në është Lionel Mesi. Klubi parisien është gati të bëjë transferimin më të shtrenjtë në historinë e futbollit botëror. Për një yll si Mesi, tri herë fitues radhazi i Topit të Artë, i cilësuar gjerësisht si lojtari më i mirë në botë dhe që mbi të gjitha është shumë i lidhur me Barcelonën, PSG është gati të ofrojë 250 milionë euro. Kjo është shifra e përcaktuar në marrëveshjen e yllit argjentinas me Barçën për prishjen e kontratës ekzistuese. Para që sheikët e skuadrës parisiene edhe mund ti shpenzojnë, megjithatë duket e vështirë që një shifër kaq e lartë dhe një rrogë tjetër faraonike si ajo e Ibrahimoviç ta bindin Mesin të largohet nga Kamp Nou. Gjithçka mbetet në kuadrin e spekulimeve dhe vetëm koha do të tregojë nëse kjo çmenduri e radhës do të mund të realizohet. Gjithçka për faktin se me shpenzimet e pakufizuara të PSG-së, hipotezat që qarkullojnë, pjesa më e madhe e tyre në mënyrë tallëse janë nga më të çuditshmet. Për shembull: për shofer autobusi PSG do të marrë Fernando Alonson, për 85 milionë euro, si krahu i fort i klubit do të jetë Çak Norris, për të prerë barin sheikët do të blejnë Eduard duargërshërën, ndërsa nga Japonia vjen bomba 100 milionë euroshe për dy yjet e futbollit të filmave për fëmijë, Oli dhe Benxhi.


Çmenden mediat franceze: PSG, 250 milionë euro për Leo Mesin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip