Vetëm 30 shikues ndjekin ndeshjen Tirana-Lushnja për Kupën e Shqipërisë.


Migen Memelli jo vetëm është golashënuesi më i mirë i Tiranës në kampionat, 7 gola, por edhe në Kupën e Shqipërisë, ku ka realizuar në tre takime jo pak, por 8 gola nga 10 gola që kanë shënuar në total bardheblutë (një gol mban firmën e Daniel Xhafajt e një tjetër atë të Muzakës). Kështu, në total sulmuesi korçar - një prej blerjeve të bujshme të presidentit Refik Halili në merkato – ka shënuar për fanellën e rekordmenëve shqiptarë 15 gola. Ish-sulmuesi i Bran Bergenit (Norvegji) dhe Gaid (Suedi) është shndërruar në “killerin” e Lushnjës, pasi u ka shënuar verdhejeshilëve shtatë gola në dy përballjet e këtij edicioni në Kupë, ku vetëm dje shënoi 5 gola në fitoren 5-0 të bardhebluve, duke i siguruar një kalim të qetë në çerekfinale 13-herë fituesve të Kupës së Shqipërisë. Një gol në pjesën e parë (36’) dhe katër gola në 45 minutat e dyta ( 63’, 67’, 82’ (11-m), 88’) dëshmuan potencën e jashtëzakonshme të bomberit korçar të Tiranës. Memelli shënoi në takimin e parë në “Roza Haxhija” dy nga katër golat e shënuar nga Tirana në fitoren 4-1 ndaj Lushnjës. Sa për statistikë, Memelli shënoi edhe golin e fitores 1-0 të Tiranës në ndeshjen e kthimit kundër Tërbunit të Pukës, teksa takimi i parë në Pukë kishte përfunduar në barazim 1-1 (gol i Xhafajt për bardheblutë). Tirana, që për herë të fundit ka fituar Kupën e Shqipërisë (të 13-n) në edicionin 2005-2006 (në finale me Vllazninë), merr pjesë në çerekfinale për të 45-n herë, ku do të përballet në sfidat e dyfishta me Elbasanin, takime që do të luhen vitin e ardhshëm, më 29 shkurt 2009, ndërsa ato të kthimit më 11 mars 2009. Kjo është fitorja e dytë rresht me shumë gola e trajnerit të ri të Tiranës, Agustin Kola, duke përfshirë edhe fitoren 3-0 në kampionat kundër Apolonisë (dy gola të Daniel Xhafës e një i Andi Lilës). Ndeshja e ardhshme në kampionat e Tiranës është kundër Flamurtarit në Vlorë. Në takimin e parë në kryeqytet, Tirana fitoi 3-1 dhe të tre golat e bardhebluve mbajnë firmën e Migen Memellit.



Partizani, shkëlqimi në Kupë vazhdon



Partizani i Kupës së Shqipërisë është një tjetër histori. Edhe pse është përballur me skuadra relativisht të lehta, Tepelenën e Kategorisë së Dytë (fitoi 5-1) dhe Burrelin e Kategorisë së Parë (fitoi 1-0 e 5-0), skuadra e kuqe ndryshe nga kampionati ku ka sulmin më të varfër, vetëm 9 gola në 15 javë, në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm ka shënuar 16 gola në tri ndeshje.

Rekordmenët e Kupës së Shqipërisë zhvilluan një test kontrolli me Burrelin në kompleksin e ekipeve kombëtare, duke shënuar plot pesë gola me pesë autorë të ndryshëm. Mesfushori i Kombëtares, Elis Bakaj, i cili në janar do të kalojë te Dinamo, shënoi golin e parë në minutën e 15-të, përpara se të ndëshkohej me karton të kuq, ashtu si dhe një lojtar i burrelasve. Furia e kuqe vazhdoi me Teodor Përlleshin në minutën e 42-të e dy minuta më pas me Marius Ngjelën. Në pjesën e dytë te goli shkuan edhe Arbër Capa në minutën e 49-të (Capa shënoi edhe golin e fitores në Burrel), ndërkohë që një tjetër produkt i shkollës së Partizanit, Erando Karabeci, realizoi golin e pestë për 15-herë kampionët e Shqipërisë, që e kanë fituar për herë të fundit në edicionin 2003-2004. Në çerekfinale, Partizani (merr pjesë për herë të 44-t) do të përballet me Flamurtarin, 2-herë fitues i Kupës së Shqipërisë.





18 Dhjetor 2008