Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Z. Gramoz Ruçi uron akademikun dhe shkrimtarin Ismail Kadare për çmimin e karrierës akademike.


Ja letra:


Z.Ismail Kadare, Tiranë


Shumë i nderuari zoti Kadare,


Përjetova me gëzim të veçantë shpalljen Tuaj si fituesi i Çmimit të Karierrës të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për vitin 2017.


Ky Çmim i shtohet gjerdanit të vlerësimeve e çmimeve për veprën Tuaj letrare dhe kontributin intelektual në Shqipëri, Europë dhe në globin mbarë. Rrallë herë ndodh në kohën e sotme që krijimtaria e famshme letrare e njohur botërisht, kontributi intelektual plot finesë, vepra e thellë studimore e akademike, identiteti dhe vizioni europian, simbolet e vlerat kombëtare, dhe dedikimi shoqëror e qytetar të bashkohen në një individ të vetëm, si në rastin Tuaj.


Ju jeni ngjitur në Olimpin e letrave dhe të shkencës dhe prej andej ndriçoni historinë, të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve. Letërsia, kultura dhe qytetërimi shqiptar janë sot të njohur sepse në to është skalitur emri Ismail Kadare. Ju jeni ndër margaritarët e kombit dhe na bëni të ndihemi të gjithë krenar si bashkëkombësit, bashkëkohësit dhe lexuesit Tuaj.


Po Ju shkruaj me mirënjohje të pafund këtë letër si një ndër lexuesit dhe adhuruesit e panumërt të Veprës Tuaj.


20 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)