Për herë të parë pas rindërtimit të plotë prej 2.2 miliardë lekë, sot hapi dyert stadiumi "Loro Boriçi" në Shkodër. Prej kohësh, stadiumi kishte degraduar dhe ishte vënë në vështirësi funksionimi e tij si një arenë sportive, për të mos folur për përmbushjen e standardeve europiane. Ndërtimi i tij u mbështet nga qeveria si prioritet edhe në kushtet e mungesës së stadiumit kombëtar të futbollit. Me projekt të arkitektit me emër, Peter Wilson, mbi rrënojën e dikurshme është ngritur një stadium modern, i certifikuar nga UEFA për të gjitha kategoritë e ndeshjeve.

Stadiumi ka kapacitet mbi 16 mijë vende, pistë atletike e standardeve olimpike me 8 korsi, ambiente për mjekët dhe antidopingun dhe hyrja e sportdashësve është e automatizuar. Nën shkallët e tij ka ambiente për stërvitje të disiplina të tjera sportive, si atletika, mundja, boksi, ping-pongu etj.. Përveçse një vlerë sportive, ai përfaqëson edhe një vlerë publike, i cili i mirëmenaxhuar mund të kthehet një qendër të jetës urbane të qytetit.

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot hapësirat e reja sportive, që i japin dinjitet qytetit dhe futbollit shqiptar. Në përfundim, Kryeministri u shpreh për mediat e pranishme:

-Si ju duket stadiumi zoti Rama?

-Si ju duket juve se unë besoj se Shakohoxha e ka shumë gabim atë statusin e tij në Facebook që ëndrra u bë realitet se në fakt këtu realiteti u bë ëndërr. Është vërtetë një vepër nga ato që s'ka nevojë për fjalë. Fjalët janë të tepërta dhe fjalët e tepërta mund t'i bëjnë vetëm ato që bëjnë vetëm fjalë. Unë besoj që ky stadium është absolutisht një standard tërësisht i ri dhe jam i bindur që ky qytet për traditën e vet, për historinë e vet, për pasionin e vet, për sportin dhe për futbollin e ka merituar prej kohësh, por rëndësi ka që e mori këtë stadium sot. Ashtu sikundër ju siguroj që nëse ky stadium është një spektakël, Arena Kombëtare do të jetë një super spektakël.

-Duket si ëndërr me makthe kjo e juaja zoti Rama, e kritikuat shumë kryebashkiaken për ndërtimet përreth stadiumit. Realisht, a duhet të prishen ato ndërtime?

-Me kryebashkiaken komunikova jashtë kamerave, ju bëtë detyrën tuaj, na përgjuat kështu që çfarë dëgjuat dhe përgjuat tregojeni, unë skam ndonjë koment publik për këtë."- u shpreh Kryeministri Rama.

"Loro Boriçi" do të mirëpresë edhe ndeshjet Ekipit Kombëtar në kompeticionet europiane e botërore. Ndeshja e parë inauguruese është ndeshja miqësore me Ekipin Kombëtar të Marokut, sot në mbrëmje.

Sporti në shifra

Janë investuar 25 milionë dollarë për sportin, shifra më e lartë e shënuar në 25 vite të marra së bashku. Në vlerë nominale për vitin 2013 ishin parashikuar për sportin 0 lekë. Ndërkaq granti për sportin për vitin 2013 ishte 8 milionë lekë dhe asnjë investim në terrene sportive. Në periudhën 2014 - 2015 u rrit në tre orë edukimi fizik në shkolla, si dhe janë ndërtuar 44 terrene sportive në 10 qytete. Investimet u rritën 548 milionë lekë. U rrit granti për sportin mbi 710 milionë lekë. Ndërkohë vazhdon ndërtimi i Parkut Olimpik të Tiranës, investim me rreth 200 milionë lekë; ndërtimi apo rehabilitimi i rreth 20 terrene sportive dhe palestrave të mbyllura në shkolla, me rreth 200 milionë lekë.