“Nuk kemi të hamë, këndojmë për të harruar varfërinë, jemi në luftë, kërcejmë për të harruar dhimbjen...”. Këto fjalë me dhjetëra rreshta artikulojnë historinë e shfaqjes në Teatrin Kombëtar. Premiera e djeshme “Over There”, një vepër e njohur e autorit Duro Motok, ka impresionuar Juli Sinani, regjisoren e re e cila gjendet përballë presionit konkurrues në edicionin e dytë të Festivalit Teatrorë të të rinjve.


Regjisorja Juli Sinani tregon teatrin imagjinar, që rend gjithnjë në ëndrrën për të arritur diku











Ëndrra për të arritur diku!











Intervistoi: Suela Furriku





“Nuk kemi të hamë, këndojmë për të harruar varfërinë, jemi në luftë, kërcejmë për të harruar dhimbjen...”. Këto fjalë me dhjetëra rreshta artikulojnë historinë e shfaqjes në Teatrin Kombëtar. Premiera e djeshme “Over There”, një vepër e njohur e autorit Duro Motok, ka impresionuar Juli Sinani, regjisoren e re e cila gjendet përballë presionit konkurrues në edicionin e dytë të Festivalit Teatrorë të të rinjve. Plaga më e rëndë e shoqërisë shqiptare, ku rrënjët e saj i gjen që në lashtësi, vazhdon të dhëmb edhe sot. Emigracioni është tematika që ka lëvruar regjisoria Sinani për të realizuar shfaqjen e saj të tretë. Një dramë në një llogore lufte, aty ku ëndrrat janë më të largëta dhe më të prekshme...





“Over There” është vepra që keni shfrytëzuar për të sjellë një shfaqje në TK, çfarë është kjo vepër për ju?





Është një vepër që i përket artit imagjinar. Ne kemi vendosur kufirin e viteve të komunizmit, ku tre të rinj duan ta kalojnë atë. Kërkojnë të kalojnë në anën tjetër por në tre mënyra të ndryshme për të arritur diku, larg vendlindjes. Është një vepër e shkruar nga autori Duro Motok. Martin Gjoni është kujdesur për gjithë skenografinë dhe kostumografinë. Dua të shtoj se skenografia është shumë e pranueshme për mua, kostumet po ashtu janë të konceptuara ndryshe që jemi mësuar të shikojmë deri tani, pra me pak fjalë i gjithë koncepti do të vijë i ri.





Me thatë që i gjithë subjekti do të jetë i përqendruar vetëm tek tre personazhe të vetme, do të na flasin për realitetin shqiptar në llogoren e kufirit ...?





Vepra nuk ka realitet sepse autori e ka lënë të lirë në dorë të regjisorit. E gjithë historia vërtitet rreth tre njerëzve të cilët duan të bëjnë diçka. Unë e kam vendosur këtë subjekt të papërcaktuar më afër nesh, pra të jetë sa më i përshtatshëm për realitetin shqiptar. Mendoj se ne duhet të trajtojmë problemet tona, gjithçka që na karakterizon dhe jo ato të rumunëve , anglezëve, apo të tjerëve në përgjithësi. Gjithçka që do të paraqes është lehtësisht e adaptueshme për publikun duke qenë se të gjithë ne duam të arrijmë diku, të ndërrojmë destinacion, e kështu me radhë.





Një temë tashmë tepër e njohur nga shqiptarët, e ezauruar në shumë forma, pse pikërisht plagën e emigracionit?





Po, në fakt ky është një fenomen shumë i përhapur tek ne, dhe është ezauruar ky problem, por nga ana tjetër dëgjova që para shumë pak ditësh që ndodhi edhe një tjetër tragjedi në Butrint, gjë që tregon se probleme të tilla janë të pranishme kudo dhe prekin një gamë të gjerë të shoqërisë shqiptare. Nuk mund të lë pa përmendur edhe faktin që kufijtë kanë rënë fizikisht, ne sërish jemi disi të ndarë me shtetet e huaja. Kam përshtypjen se do të mirëpritet pasi është një problematikë që prek të gjithë, pavarësisht se këta njerëz mund të identifikohen si A, B, C dhe nuk kanë një biografi të caktuar.





Veç kësaj që përmenda, çfarë ju nxiti ju si regjisore e re për të zgjedhur këtë vepër, “Over There”?





Veç kësaj që përmenda pak më lart, e kam zgjedhur këtë vepër për faktin se kam gjetur shumë liri, në mendim apo konceptimin e shumë e përbërës të tjetër plotësues. Kjo është arsyeja që unë kam zgjedhur pikërisht këtë vepër.





Po më thoni që autori ka shkruar një tekst duke e lënë të lirë regjisorin të zgjedhë biografinë e personazheve, vendin e veprimit dhe të gjitha konceptet regjisoriale. Sa ua ka lehtësuar dhe vështirësuar punën tuaj si regjisore në hapat e parë për t’i dhënë formën e duhur kësaj shfaqje?





Po, është e vërtetë. Ky është një fakt që mua më ka krijuar shumë lehtësira, po ashtu edhe shumë vështirësi njëkohësisht. Kjo ka qenë një vepër që është krijuar gjatë rrugës, nuk është se, ne, që në momentin e parë kemi vendosur piketën. Të gjithë ne bashkë kemi ardhur me ide të reja duke gjetur atë që vërtetë donim të realizonim. Kjo pra është një vepër e ndërtuar nga një trupë prej tre aktorësh të cilët edhe ato janë të rinj, ndërkohë që Teatri Kombëtar është një nga bashkëpunëtorët, Ministria Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve po ashtu të cilët gjej rastin për t’i falënderuar.





Sa e vështirë ishte por ju të vini në skenë një vepër që i përket teatrit imagjinar?





Është shumë e vështirë që të krijosh një teatër imagjinar, që t’i të krijosh një histori nga e para sepse në qoftë se i shkonte personazhit A vendi i veprimit, ishte një ambient që nuk përshtatej me B-në sepse ata duhet të ishin patjetër në të njëjtin pozicion. Në një teatër me tre personazhe të ndryshme është e domosdoshme të ndajnë karakteret në një zonë ku do të mund të veprojnë.





Pse keni zgjedhur një autor të huaj dhe jo një vepër shqiptare?





Sepse nuk ka autorë shqiptar. Sa i përket një regjisori tjetër i cili ka zgjedhur një vepër shqiptare kam përshtypjen se ka shkuar direkt në shtëpi për ta tërhequr, pasi unë nuk e dija që paska qenë një vepër shqiptare. Nuk ka autor shqiptarë.





Po për vepra të ndryshme që janë ngjitur në skenë të ndërtuara nga autor shqiptarë, çfarë do të thonit ?





Jam absolutisht pro. Nuk dua të them që nuk ka histori shqiptare, por nuk ka dramaturg vendas. Ekziston si problem më vete, që një histori të caktuara ta shndërrosh në një vepër teatrale nuk është shumë e lehtë, është shkenca më e vështirë. Një tekst që ne mund ta jetojmë në përditshmërinë tonë, ta kthesh në një dramë do të përballesh me shumë vështirësi për shkak të mungesës së dramaturgëve shqiptar.





A ju ka ndihmuar ndonjë “dorë” e profesioniste gjatë realizimit të “Over There” ?





Jo, absolutisht nuk kam pasur ndihmën e asnjë personi të tillë. Kjo është një punë e jona, e tre aktorëve, skenografëve dhe e imja.





A e keni ndjerë nevojën e një profesionisti, atëherë?





Patjetër që e kemi ndjerë, e kemi pasur të nevojshme herë pas here, madje edhe kemi ngecur ndonjëherë, por sërish nuk kemi kërkuar ndihmë tek dikush. Atë e kemi kërkuar brenda nesh dhe nuk kemi tentuar të marrim një të katërt, apo një të pestë për të gjetur diçka.





Çfarë do të marrë publiku nga shfaqja juaj?





Të gjithë nisen nga vetja, të gjithë duan të ndryshojnë realitet, të mbërrijnë diku dhe të arrijnë majat. Por se sa e gjejnë mundësinë kjo mbetet mister. Në rastin konkret, personazhet e mia jenë shumë utopik, ëndërrimtarë por nuk gjejnë terrenin e përshtatshëm. Janë të tillë, sepse dikur të kalojë kufirin ishte një utopi, një ëndërr që nuk realizohet kurrë.





Para disa ditësh u mbyll konferenca dy ditore në Teatrin Kombëtar e titulluar “Të njohim njëri-tjetrin”, ishit ju e pranishme?





Jo nuk isha sepse nuk kam marrë asnjë ftesë. Zakonisht unë shkoj në një konferencë atëherë kur unë e ndjej veten të brendshme në atë aktivitet, e ndërkohë në rastin konkret të them të drejtën nuk është se ndihesha shumë “brenda” saj. Në anë tjetër unë dua ti shoh gjërat ndryshe sepse në momentin që organizohet një konferencë që trajtoj një gamë të gjerë problematikash, është e udhës që menjëherë pas saj duhet të duhet edhe rezultati. Unë nuk e di se cili ishte rezultati që u mor pas përfundimit të kësaj konference.





Duke u nisur nga përvoja juaj e re, sa hapësirë keni gjetur ju si regjisore e re për të për të depërtuar në skenën e teatrit tradicional?





Kam përshtypjen se është abuzuar me këtë klishe “hapësira që kemi gjetur...”. Nuk do të vijë njeri të trokasë dhe të të marrë në teatër për të bërë një shfaqje. Unë si regjisore e re nuk e kam ndjerë këtë vështirësi, ndoshta mund të tingëllojë pak absurde, por është e vërtetë. Është premiera e tretë që unë vë në skenë dhe nuk kam hasur ndonjë vështirësi të tillë. Për mua mjafton që të kesh dëshirën, dhe vullnetin për të punuar dhe mendoj se mund t’ia dalësh.





A keni pasur mbështetje financiare të mjaftueshme?





Unë nuk i shikoj gjërat në këtë formë. S’duhet të jemi idealist, pasi në asnjë vend të botës nuk funksionon në këtë mënyrë. Sa i përket mbështetjes financiare, kam përshtypjen se edhe me tre lek apo edhe pa asnjë qindarkë, unë përsëri do ta vijë atë vepër. Nuk ka një matematikë shumë të qartë që të llogarisë koston e një shfaqje, pasi ti mund të mos mjaftoni 50 mijë euro dhe mund të jenë të mjaftojnë dhe 600 mijë lek të reja sa ç’janë akorduar nga ministria e kulturës. Nuk më duket ky shqetësimi, mendoj se ka të tjera probleme.





Cilat janë këto problemet reale që ju të rinjtë e teatrit hasni?





Mua apo dikë tjetër nuk të detyron askush që të konkurrosh dhe është e qartë që në fillim. Nëse do të jesh pjesëmarrës në këtë projekt, do të kesh në dispozicion një shumë të caktuara parash. Po ashtu nga ana tjetër çdo kush është i vetëdijshëm për këtë fakt, për ti shërbyer një lloj matematike përllogaritëse. Problemet kanë pa fund. Ne rrijmë non-stop dhe presim nga shteti, institucionet....Nuk jam e këtij mendimi. Duhet të ndryshojnë shumë gjëra përfundimisht me kontributin e të gjithëve, por se sa janë të aftë t’ia dalin është dhe mbetet problemi i tyre. Në asnjë vend të botës shteti nuk mund të superojë pafundësisht, përderisa ne jetojmë në kushtet e ekonomisë së tregut. Kapitalizmi këtu kuptohet, sa ia del ti, apo unë. Nëse do të ishim të gjithë të barabartë, nuk e di se çfarë kuptimi do të kishte.





Përballë jush gjenden edhe katër regjisorë të rinj, e ndjeni konkurrencën?





Absolutisht që e ndjej konkurrencën, por ajo çfarë është më e rëndësishme është se punën time e krahasoj me veten time, dhe asnjëherë me të tjerët. Në fakt, në art nuk ka një formulë të qartë se kush është më mirë, apo e kundërta. Gjithnjë ka një lloj distance, ku secili sheh gotën e tij. Nëse unë këtë vepër do t’ia kisha lënë një regjisori tjetër ai mund ta kishte sjellë atë në një mënyrë tjetër, më mirë apo më keq, sipas ideve të tij. Mjafton që unë te jem e kënaqur vetë kur ata që do vijnë ta shohin. Konkurrenca nuk më duket diçka shqetësuese.





Çfarë iu bën optimiste për këtë?


Që ia dola. (qesh)