Ministri i deritashëm i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, e ka konfirmuar edhe zyrtarisht largimin e tij nga ky post, për ta zëvendësuar me atë të këshilltarit të parë të presidentit Hashim Thaçi.

Vendimi paraprakisht është aprovuar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i cili duke i uruar suksese në detyrat e reja, ka vlerësuar lartë kontributin e ministrit Çollaku gjatë punës së tij.

Mustafa, po ashtu, ka vlerësuar angazhimin e ministrit Çollaku në realizimin e prioriteteve të Programit Qeveritar duke përfshirë vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Çollaku është shprehur i bindur se Ministria e Integrimit që eka drejtuar nuk do të shuhet pavarësisht riformatimit të paralajmëruar, e nëse kjo do të ndoshte, sipas tij, "do të ishte fatkeqësi e madhe".

"Nuk po largohem si njeri që nuk i kam plotësuar objektivat sepse dy nga ato janë plotësuar. 1 MSA dhe 2 përfundimi i plotë i procesit të liberalizimit. Unë pjesën e parë e kam përfunduar ndërsa pjesa e dytë e kriterit nuk është në kompetencën time që është ratifikimi i demarkacionit", ka thënë Çollaku duke ftuar Bashkimi Evropiasn që Kosovën ta trajtojë të barabartë me vendet tjera.

Ish-ministri i Integrimit, dhe tash këshilltar i presidentit të Kosovës ka përsëritur bindjen e tij se nëse Kuvendi e miraton çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, kosovarët mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen deri në fund të vitit.