Fshati Dritas në zonën e Fushë-Krujës është rrethuar nga qindra forca policie të RENEA-s dhe FNSH-së.


Prej mëse një ore efektivët janë duke kryer kontrolle në çdo banesë, pasi dyshohet se në zonë janë fshehur bashkëpunëtorët e Admir Murataj, që grabitën 10 milionë euro në aeroportin e Rinasit.


Fshati Dritas ndodhet pranë Tapizës, ku mëngjesin e sotëm u gjet makina e tretë e djegur, që dyshohet se është përdorur nga grabitësit.


Operacioni që ka nxjerrë në terren edhe vetë drejtorin e policisë kriminale, Tonin Vocaj si edhe kreun e policisë së Durrësit, Alfred Çepe vjen në një kohë kur ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj la të kuptohej në deklaratën për mediat se provat e shumta mund të kenë tradhëtuar grabitësit.



























Ndërkohë policia ka konfirmuar zyrtarisht se janë 4 persona të tjerë përveç Admir Muratajt, që kanë kryer grabitjen dhe shenja e tyre e fundit është lënë në zonën e Bathores.


Për këtë arsye mbi 10 makina policie kanë parkuar në hyrje të Bathores, aty ku njëri prej grabitësve ka kaluar me biçikletë.


Në zonë ndodhen rreth 100 policë, bashkë me qenë gjurmues të cilët janë pozicionuar në rrugën ku ka kaluar grupi. Mësohet se çdo shtëpi dhe çdo makinë do të kontrollohet nga policia.