Arben Mehmeti sekretar i LDK-së në Gjilan tha se akuzat e Qemajl Mustafës dhe të PDK-së për vjedhje të votave janë qesharake dhe të paqëndrueshme. Fitorja e LDK-së është e pastër si loti dhe po të mos ishin ndikimet institucionale dhe presionet e shantazhet e Hashim Thaçit, fitorja e Lutfi Hazirit do të ishte edhe më bindëse thotë Mehmeti.

Akuzat e Qemajl Mustafës dhe të PDK-së për vjedhje të votave dhe parregullsi në procesin zgjedhor nuk janë marrë shumë seriozisht nga tabori i Lutfi Hazirit.


Arben Mehmeti sekretar i degës së LDK-së në Gjilan tha për rajonipress se fitorja e LDK-së dhe e Lutfi Hazirit në asnjë moment nuk mund të vihet në dyshime. “Fitorja e Lutfi Hazirit dhe e LDK-së është e pastër si loti dhe po të mos ishin ndërhyrjet institucionale duke përfshirë direkt Hashim Thaçin dhe mekanizmat institucional lokal, kjo fitore do të ishte shumë më e thellë” thotë Mehmeti.


Mehmeti mendon se pa këto ndërhyrje Lutfi Haziri do të fitonte mbi 50% të votave. “Në Gjilan janë shkelur rregullat dhe ligjet pikërisht nga partia në pushtet. Unë mendoj se balotazhi do të jetë edhe më bindës dhe në favor të Lutfi Hazirit. Deklaratat e rivalit Qemajl Mustafa dhe të krerëve të PDK-së për abuzim të votave, më tepër janë deklarata frustuese dhe sa për konsum të brendshëm partiak sepse ata e dinë se humbja për ata është e sigurt” shtoj Mehmeti, shkruan rajonipress.


Mehmeti tha se ka përcjellur tërë zhvillimet në ditën e zgjedhjeve dhe nuk ka vërejtur asnjë ankesë apo akuzë nga ndonjë subjekt politikë.”Me plotë bindje e them se nuk ka pasur vjedhje të votave, madje as parregullsi të vogla teknike. Fitorja e Hazirit është fitore për Gjilanin dhe gjilanasit dhe në balotazh shkojmë shumë të relaksuar, bile me një entuziazëm edhe më të madh” tha Mehmeti./Indeksonline/