TIRANE- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bashkëpunim me Fondacionin "Vodafone Albania" organizuan për herë të parë në Shqipëri "TechCamp" (Kampin e Teknologjisë), një trajnim i cili synon mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet përdorimit të teknologjisë. Ceremonia e hapjes u mbajt nga vetë ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, i cili e lidhi fuqinë e teknologjisë me fansat që ka në rrjetin social "Facebook" faqja e Ambasadës Amerikane në vendin tonë.

“Kur dëgjova për herë të parë "Kampi i teknologjisë" mendova se do të shkonim në ndonjë kala apo kështjellë. Por ndoshta kjo mund të jetë edhe ajo që ju keni në mendje. Falenderoj fondacionin "Vodafone Albania" që mundësoi këtë projekt. Kur mbërrita në Shqipëri para 3 vjetësh, ambasada e Shteteve të Bashkuara kishte një faqe "FB"-je por kishte një numër shumë të vogël ndjekësish. Por herën e fundit që e kam parë, ishim në 48 500 ndjekës. Nuk do të largohem nga Shqipëria pa i bërë të paktën 50 000 ndjekës dhe ky mund të jetë një stimul i mjaftueshëm, mendoj”, tha ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu.

Më tej, ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, theksuan ndihmesën që teknologjia po i jep reformave të qeverisë.

Ekspertë nga zyra e "E-diplomacy" në Departamentin e Shtetit në Shtetet e Bashkuara do të drejtojnë këtë seminar dy ditor ku sëbashku me ekspertët vendas të teknologjisë do të diskutojnë se si qytetarët mund të përdorin teknologjinë, për të ruajtur dhe mbrojtur mjedisin.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)