Korçë


Ndalohen 4 të rinj, vodhën varrezat dhe kishat


Katër të rinj janë arrestuar në kushtet e flagrancës mbrëmjen e së enjtes, duke vjedhur shina hekuri në afërsi të Kampit të Punëtorëve në Korçë, ndërkohë që dyshohen si autorë të vjedhjeve të përsëritura në varrezat e qytetit dhe në objekte të kultit fetar. Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga të dhëna zyrtare të policisë së Korçës, sipas të cilave, adoleshentët, të moshës 16-18 vjeç, të katër banues në qytetin e Korçës, u ndaluan duke vjedhur shina hekuri, ndërkohë që dyshohen si autorë të vjedhjeve në varrezat e qytetit dhe objekte të kultit fetar. Ndërkohë po hetohet në gjendje të lirë për shkak të moshës, 14-vjeçari, P.K. nga Pogradeci. Ndërkohë, nga të dhënat policore mësohet gjithashtu se nga hetimet ka rezultuar se ky grup adoleshentësh rezulton kontingjent edhe për vepra të tjera penale, ndër të cilat vjedhjet e përsëritura në varrezat publike të Korçës, si dhe në disa kisha të këtij rrethi, ku synimi ka qenë vjedhja e pjesëve metalike të kangjellave të varrezave apo kambanave të kishave për t'i shitur më pas për skrap.





Vlorë


Plagoset me armë zjarri 30-vjeçari, në kërkim autori


Policia e Vlorës është vënë në kërkim të një personi, i cili ka plagosur me armë zjarri në të gdhirë të ditës së djeshme një 30-vjeçar në këtë qytet për motive ende të panjohura. Një gjë e tillë është konfirmuar dje nga të dhëna të policisë lokale, sipas të cilave, bëhet fjalë për 30-vjeçarin Lulzim Dajko nga Vlora, i cili është qëlluar disa herë me armë zjarri rreth orës 01:30 në vendin e quajtur "Omonia", në periferi të qytetit. I plagosuri 30-vjeçar është transportuar me urgjencë në spitalin e Vlorës dhe falë ndërhyrjes në kohë të mjekëve specialistë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që pas ngjarjes, policia e Vlorës është vënë menjëherë në kërkim të autorit, si dhe ka filluar hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Megjithatë, deri në mbrëmjen e djeshme policia nuk ka konfirmuar ndonjë pistë rreth shkakut të plagosjes së Dajkos, si dhe nuk ka ndonjë të shoqëruar si të dyshuar për këtë ngjarje.