Ralf Gjoni pas betimit në Kuvend, në daljen e parë për mediat si deputeti më i ri i LSi e sulmoi indirekt kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi duke thënë se është kundër lidershipit të kësaj force politike që mbështet dhunën dhe politikën e çizmes dhe bojës.


Deklarata e Gjonit, duket se ishte një hakmarrje për ata që i bën sulmin me bojë më herët ditën e sotme, kur doli nga banesa, pasi ai vetë tha se është e qartë kur e ka kryer, ju e dini më mirë se unë.


Por, Monika Kryemadhi teksa ka komentuar atë çfarë i ndodhi sot ish-këshilltarit të Ilir Metës tha në Opinion se ajo i ka duart e pastra.


Sipas kryetares së LSI, sulmi ndaj Gjonit mund të jetë organizuar nga pala tjetër, dhe këtu i referohet mazhorancës së Edi Ramës.


Unë i kam duart e pastra, por është ajo që tha dhe z. Shehi që Rama për ti bërë eksponentë që të flasin dhe për të larguar vëmendjen nga mungesa e tij prej disa ditësh në Shqipëri, mendoj që mund të jetë edhe një skenar i realizuar prej tij. Dhe të mos harrojmë që z. Gjoni është edhe një nga kundërshtarët kryesorë të Erion Veliajt, Endri Fugës, dhe gjithë grupit tjetër në Mjaft. Kështu që unë mendoj që mund të jetë diçka e realizuar nga pala tjetër, ose mund të jetë një marrëdhënie e drejtpërdrejtë e z. Gjoni me elektoratin e tij, tha kryetarja e LSI-së.


Kryemadhi foli më tej edhe për hapat e ardhshëm që do të marrë opozita në aksionin e saj., duke theksuar se planet do të jetë të befasishme.


Ne jemi opozita, qytetarët janë jo të përfaqësuar në Parlament. Plane ka patjetër, por ato do të jenë të befasishme, theksoi ajo.


Kryemadhi nënvizoi se protestat do të vazhdojnë, ndërsa theksoi edhe një herë se nuk do të ketë një marrëveshje me kryeministrin Rama dhe as zgjedhje lokale më 30 qershor.


Zgjidhja është e thjeshte qeveri tranzitore, ka sa të duash socialistë. Sandër Lleshaj është gati, ka filluar të bëjë dhe leksione të hapura. Unë kam eksperienca nga historia e Ramës në politikë, ai nuk i qëndron marrëveshjeve, Basha është një ndër viktimat, nuk mund të ketë marrëveshje me Edi Ramën, u shpreh Kryemadhi.