30-04-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha ka qenë I ftuari i Nderit në ceremoninë e festimeve të 100-vjetorit të Federatës Pan Shqiptare “Vatra”. Të pranishëm edhe politikanë nga Kosova, Mali i Zi e Maqedonia, si dhe ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Ceremonia e 100 vjetorit, homazh për ata burra që themeluan në vendin e madh të lirisë, “Vatrën”, si vatër të lirisë së kombit shqiptar
Kryetari Gjon Buçaj: Ideali i themeluesve, frymëzim për punën fisnike të Vatrës
Frank Shkreli: Historia e Vatrës, historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

E krijuar më 28 prill të vitit 1912 në Boston, por me qendër në New York, “Vatra” festoi dje 100 vjetorin e themelimit të saj, në një ceremoni ku merrnin pjesë përfaqësues politik të trevave shqipfolëse, ambasadori Amerikan Aleksandër Arvizu, krerët e të katër komuniteteve fetare, të atij mysliman, katolik, ortodoks dhe komunitetit bektashian, anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të Vatrës si dhe një numër shumë i madh shqiptarësh të diasporës nga SHBA, por edhe Kosova, Maqedonia, Mal i Zi e Lugina e Preshevës, përfaqësues të arbëreshëve të Italisë, studiues e historianë. I ftuar në këtë ceremoni jubilare të 100 vjetorit të Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, kryeministri Sali Berisha tha se “ky 100 vjetor, është një homazh i madh për ata burra që 100 vjet më parë themeluan këtu në atdheun e lirisë në vendin e madh të lirisë, “Vatrën”, si vatër të lirisë së kombit shqiptar”

Në përfundim të vizitës së tij në SHBA, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha mori pjesë si i ftuar nderi në ceremoninë e festimeve të 100 vjetorit të Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, i cili përkon edhe me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. E krijuar më 28 prill të vitit 1912 në Boston, por me qendër në New York, “Vatra” festoi ditën e djeshme 100 vjetorin e themelimit të saj me një aktivitet ku merrnin pjesë drejtues të saj, Kryetari Gjon Bucaj, Zëvendëskryeministrja e Maqedonisë Teuta Arifi, ministri i Kosovës për diasporën Ibrahim Makolli, ambasadori Amerikan, Aleksandër Arvizu, krerët e të katër komuniteteve fetare, të atij mysliman, katolik, ortodoks dhe komunitetit bektashian, anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të “Vatrës” si dhe një numër shumë i madh shqiptarësh të diasporës nga SHBA, por edhe Kosova, Maqedonia, Mal i Zi e Lugina e Preshevës, përfaqësues të arbëreshëve të Italisë, studiues, historianë, intelektualë, personalitete të kulturës, artit, shkencës, si dhe shumë të ardhur enkas nga Shqipëria për të festuar një shekull të “Vatrës”.
Me këtë rast u mbajt Konferenca Shkencore “Federata Pan-shqiptare e Amerikës “VATRA, 100 vjet në shërbim të Kombit” ku studiues të njohur të botës akademike shqiptare, paraqitën kumtesa, në të cilat ritheksohej roli i kësaj federate që nga arritja e saj thelbësore, themelimi i shtetit shqiptar, deri në këtë 100 vjetor.
Në mjediset e sallës ishte hapur ekspozita fotografike “100 vitet e Vatrës”, ku përmes imazheve fotografike, përcillej rruga e Vatrës dhe e komunitetit shqiptar gjatë 100 viteve prej 28 prillit 1912, ditë-themelimit të saj. Madje kishte dhe fotografi që datonin para themelimit të Vatrës, fotografi që fiksonin udhëheqësit e parë të komunitetit shqiptar, që hodhën bazat e Lëvizjes Kombëtare shqiptare në Amerikë, si Noli, Peci, Kirka, Josif  Pani,Faik Konica etj. Pas interpretimit të himneve kombëtare amerikane e shqiptare, nga artistët e njohur Merita Halili dhe Raif Hyseni, klerikë të lartë shqiptarë nga të katër besimet fetare përshëndetën e u lutën për shqiptarët dhe Vatrën në këtë 100 vjetor.
Në hapje të ceremonisë, kryetari i Federatës pan Shqiptare “Vatra” Gjon Buçaj falënderoi me mirënjohje kryeministrin Berisha, i cili me prezencën e tij në një ditë të shënuar për Vatrën nderoi kujtimin e themeluesve të saj dhe të të gjithë atyre që me përkushtim dhe sakrifica e mbajtën Vatrën përgjatë një shekulli në shërbim të kombit. Buçaj e cilësoi kryeministrin Berisha si një mik të madh të diasporës dhe një personalitet që ka kontribuar si askush tjetër në mbështetjen e diasporës.
Më tej, Bucaj theksoi se ky kremtim do të shërbejë si një frymëzim për vazhdimin e punës fisnike të Vatrës si dhe të përcjelljes së këtij misioni tek brezat që do të vinë.
“Të parët e krijuan, shqiptarë të tjerë e mbajtën deri ditët e sotme dhe me atë idealizëm edhe këta ta përcjellin drejt së ardhmes”, u shpreh ai.
Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që merrte pjesë në ditën jubilare të Vatrës për të përshëndetur në emër të qeverisë shqiptare dhe shqiptarëve.
“Ky 100 vjetor, është një homazh i madh për ata burra që 100 vjet më parë themeluan këtu në atdheun e lirisë në vendin e madh të lirisë, “Vatrën”, si vatër të lirisë së kombit shqiptar”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri kujtoi me nderim dhe mirënjohje themeluesit e saj, të cilët në një kohë përcaktuese për fatet e kombit u bashkuan dhe themeluan organizatën e vlerave të mëdha kombëtare.
Ai  vlerësoi rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm historik që “Vatra” luajti në momentet më decizive për kombin shqiptar, përgjatë një shekulli.
Gjatë këtij aktiviteti, krerët e të katër komuniteteve fetare, të atij mysliman, katolik, ortodoks, dhe komunitetit bektashian në fjalët e tyre iu lutën Zotit për të bekuar Shqipërinë, për të vijuar me këtë harmoni të shkëlqyer fetare dhe me patriotizmin që karakterizon shqiptarët, të cilët gjatë gjithë periudhës së historisë së tyre ndihmuan dhe bashkëpunuan në mënyrë vëllazërore me njëri - tjetrin duke mbështetur njëri - tjetrin për të ruajtur gjuhën, kulturën,identitetin, pavarësinë.
Gjithashtu aktivitetin e përshëndetën edhe zëvendëskryeministrja e Maqedonisë, zonja Teuta Arifi, Ministri Makolli, ambasadori Arvizu e një sërë personalitetesh të tjerë, të cilët iu referuan ngjarjeve historike që nga themelimi i Vatrës e më pas me pavarësimin e Shqipërisë, duke bërë një bilanc të këtyre 100 viteve dhe i njohën të pranishmit me disa momente kyçe, me kontributin që ka pasur “Vatra” për çështjen e kombit, rolin dhe ndihmesën e kësaj bashkësie për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, për zhvillimin ekonomik e kulturor të tij, ruajtjen e identitetit etj.


Frank Shkreli: Historia e Vatrës, historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

Drejtuesi i konferencës shkencore “Federata Pan-shqiptare e Amerikës ‘VATRA, 100 vjet në shërbim të Kombit’”, Frank Shkreli e cilësoi “Vatra”-n si pjesë të rëndësishme të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
“Historia e Vatrës, është edhe histori e marrëdhënieve shqiptare amerikane”, tha Shkreli duke u paraqitur pjesëmarrësve, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu.
Drejtuesi i konferencës Frank Shkreli falënderoi edhe dy studiuesit e tjerë, që kishin përgatitur kumtesat, por nuk mundën që të ishin të pranishëm, Prof. Jusuf Bajraktari, që kishte përgatitur kumtesën: “Vatra për Viset Shqiptare Jashtë Shqipërisë së Pavarur’’ dhe studiuesit, poetit, ish editorit të Diellit, Anton Cefa, që kishte dërguar kumtesën “Vatra,  Noli, Konica dhe Wilsoni”.
Konferencën e përshëndeti dhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, poeti Dalan Luzaj, si dhe Sadik Elshani nga shoqata “Bijtë e Shqipes”.
Poetja Rita Saliu recitoi poezinë e saj “Dielli dhe Vatra”.
Ndërkaq, trajtesat shkencore që u paraqitën në Konference, Vatra ka në plan t’i botojë në formë libri në një vëllim të posaçëm me titull: “Vatra 100 vjet në shërbim të kombit”.

...