Nga Express më 26 prill 2011 në ora 20:15
Mitrovicasit përkujtuan dëshmorin e kombit Shemsi Ahmetin - komandant Shemin dhe bashkëluftëtarët e tij që ranë heroikisht në betejën e Melenicës, 12 vjet më parë.
Ky përkujtim është shënuar të martën gjatë një akademie përkujtimore që është mbajtur në Qendrën e Kulturës Rexhep Mitrovica në Mitrovicë.
Ish-bashkëluftëtari Nexhat Dedia, ka thënë se komandant Shemi nuk pranoi të jetonte në një botë të paemër dhe iu bashkëngjit dëshmorëve të shumtë të kombit, duke dhënë jetën për këtë vend që tani më ka identitet e që quhet Kosovë.
Komandant Shemi dhe dëshmorët e tjerë shënuan këtë faqe të re të historisë së Kosovës me gjakun e tyre duke na porositur që amanetin tua çojmë deri në fund, ka thënë ai.
Familjarët e komandantit Shemi kritikuan institucionet se nuk kanë punuar sa duhet për të mbajtur në këmbë kujtimin dhe amanetin e komandant Shemit dhe dëshmorëve tjerë.
Ahmeti ka qenë oficer ushtarak i karrierës. Pas fillimit të luftës i është bashkëngjitur UÇK-së në Zonën Operative të Shalës, duke udhëhequr njësinë speciale të Brigadës 121 Mehë Uka, ka thënë mes tjerash Hysni Syla, bashkëfshatar i tij. /kosovapress/