Më 7 mars mësuesit nga të gjithë trevat shqiptare e kremtojnë festën e mësuesit, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti ndaj shkollës së parë shqipe. Por si lindi kjo festë?


Nga Express më 08 mars 2011 në ora 09:49

Nevoja për dije bëri që përpjekjet e përbashkëta të atdhetarëve shqiptarë të Korçës, Bukureshtit e Stambollit për hapjen e një shkolle shqipe u intensifikuan në vitet e fundit të shekullit XIX. Ndër intelektualët e njohur që kontribuuan për hapjen e shkollës së parë shqipe duhet përmendur Naum Veqilharxhin, Zef Jubanin, Jeronim De Radën, Konstandin Kristoforidhin, Thimi Markon, Naim e Sami Frashrin, Pashko Vasën, etj.

Drejtuesit e Komitetit Shqiptar të Stambollit u përkujdesën asokohe edhe për hartimin dhe miratimin e një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Me këtë alfabet u botua edhe libri i parë në shqip, “Alfabetarja e Gjuhës Shqipe”.



Paralelisht, nën udhëheqjen e Komitetit Kombëtar në Korçë ishin ndërmarrë të gjitha masat për hapjen e shkollës së parë shqipe. Kështu, më 7 mars të vitit 1887, u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe, e cila fillimisht kishte mbi 35 nxënës.

Edhe pse përpjekje për hapjen e shkollave shqipe ishin bërë edhe më parë, shkolla e Korçës u shqua për nga fizionomia e saj kombëtare, laike dhe demokratike.

Fillimisht, kjo shkollë kishte katër klasa, ndërkaq numri i nxënësve pas tre muajsh arriti në 60, e në vitin e dytë të ekzistimit të saj në 300 nxënës.

Mësuesit e parë që dhanë mësim në këtë shkollë ishin Pandeli Sotiri, Thanas Sina dhe Thoma Avrami.