I pandehuri Altin Nikolla rrëfeu dje në gjykatë tentativën për vrasjen e “hasmit”

Të pandehurit e organizatave kriminale të Durrësit kanë paguar mijëra euro për të eliminuar njëri-tjetrin, pasi nuk kishin rënë dakord për pazaret e drogës. Altin Nikolla ka dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për tentativën e vrasjes së Lul Berishës. Ai nuk ka preferuar të rrëfejë detaje nga ngjarja e 5 prillit të vitit 2005, ku së bashku me disa persona ishin nisur me një automjet për të vrarë “hasmin”. Urdhrat i morën nga Endrit Dokle, por tentativa dështoi pasi një punonjës policie i pikasi dhe u sekuestroi automjetin së bashku me katër armë. I pyetur dje për këtë episod, Nikolla ka “ngritur supet” duke mos dashur të japë shpjegime, ndryshe nga deklarata para oficerëve të policisë gjyqësore, ku kishte preferuar të “zbërthehej” dhe të tregonte disa detaje nga ngjarja. Të ndodhur përballë kësaj situate, dy prokurorët e çështjes kanë hapur dosjen dhe kanë lexuar para gjykatës deklarimet që ka bërë Altin Nikolla para oficerëve të policisë gjyqësore. Me gjithë kundërshtimin e palëve në proces, gjykata ka lejuar prokurorët të lexonin dhe të tregonin fabulën për tentativën e vrasjes së Lul Berishës. Sipas organit të akuzës, i pandehuri Endrit Dokle përgatiti planin kriminal, duke përdorur vrasës me pagesë, të cilët i rekrutoi në organizatë. Rekrutimi i këtyre shtetasve u bë me ndihmën e anëtarit të organizatës, të pandehurit Altin Olloni, i cili gjeti si persona të përshtatshëm të pandehurit Alban Neli e Elvis Hoxhosmani nga Rrethi i Burrelit, kundrejt një shpërblimi prej 100 mijë eurosh. Duke marrë në konsiderate faktin që të pandehurit Alban Neli e Elvis Hoxhosmani nuk i njihnin rrugët e qytetit të Durrësit, ata kërkuan një person që t’i ndihmonte, duke drejtuar mjetin. Për të rekrutuar këtë person të pandehurit Endrit Dokle dhe Adriatik Coli bënë një plan kriminal, së bashku me të pandehurin Kristian Begu. Ky i fundit fillimisht pranoi që ta drejtonte vetë mjetin e krimit, por duke marrë parasysh që ai njihej në qytetin e Durrësit, i pandehuri Endrit Dokle i kërkoi që të gjente një person tjetër, kundrejt shpërblimit prej 20 mijë eurosh që të drejtonte mjetin e krimit. I pandehuri Kristian Begu bisedon me Altin Nikollën, i cili pranoi që të merrte pjesë në vrasje, duke drejtuar mjetin tip “Pasat” me dy persona që do të kryenin vrasjen e Lulzim Berishës kundrejt shpërblimit 20 mijë euro. Sipas akuzës, më datë 5 prill 2005, të tre të pandehurit Alban Neli, Elvis Hoxhosmani të armatosur me katër armë zjarri, dy pistoleta dhe dy armë automatike dhe i pandehuri Altin Nikolla në rolin e drejtuesit të mjetit, kanë lëvizur në qytetin e Durrësit duke ndjekur shtetasin Lulzim Berisha, me qëllim vrasjen e tij. Kjo vrasje nuk u realizua, por ngeli në tentativë, pasi një polic qarkullimi në qytetin e Durrësit, rreth orës 13:00 në lagjen nr. 4 të qytetit bëri bllokimin e autoveturës tip “Pasat” me targa Së 04135, që drejtohej nga Nikolla dhe mbrapa, në sedilje ndodheshin të pandehurit Alban Neli e Elvis Hoxhosmani. Pas bllokimit të autoveturës, të pandehurit e kanë braktisur atë dhe janë larguar me shpejtësi, duke lënë në makinë katër armët e zjarrit. Gjatë deklarimeve para OPGJ-ve, Altin Nikolla ka rrëfyer disa detaje nga ngjarja, por dje “kujtesa” linte shumë për të dëshiruar. Prokuroria dhe gjykata thanë se çdokush nga të pandehurit është i lirë të dëshmojë për ngjarjet dhe se, në rast se do të kenë kundërshti nga ato që kanë thënë para hetuesve, do të merren për bazë këto të fundit.








#