Rreth 2.1 milionë metra katrorë tokë, 1700 metra katrorë ndërtim të vendosura në zonën turistike të Fierit, si dhe 3 shoqëri biznesi janë sekuestruar me kërkesë të Prokurorisë për Krimet e Rënda. Të gjitha këto pasuri me një vlerë prej 25 milionë eurosh janë në emër të Fatmir Kajollit ose familjarëve të tij të afërt. Për të gjitha këto pasuri miliona euroshe prokuroria ka dyshime se janë krijuar nga aktiviteti kriminal i Fatmir Kajollit.


Shkak janë bërë dy dënimet që ka marrë në Itali, Milano dhe Romë, me 24 dhe 16 vite burgim për organizatë kriminale dhe trafik droge. Dyshohet se e gjithë pasuria është vendosur mbi këtë aktivitet. Kajolli i shpëtoi ekstradimit dy vjet më parë, ndërsa ishte ndaluar për llogari të Italisë në 2012, por gjykata e liroi dhe hetoi në gjendje të lirë, derisa refuzoi ekstradimin për 40 vitet e burgut në vendin fqinj.


Mes sekuestrimeve janë 210 hektarë truall në bregdet, firmat e peshkimit, pastrimit të mbetjeve urbane dhe të parkimit, si dhe vila me truallin përreth. Por rezulton se Kajolli i ka kaluar të gjitha këto prona në emër të familjarëve të tij si akte shitjeje.