Kosova sot më 17 shkurt po shënon ditëlindjen e pestë të shtetësisë.Tashmë kremtimet me rastin e pesë vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe sheshet kryesore janë stolisur me flamuj të vendit, ata kombëtarë dhe të shteteve mike.


Simbolit të pavarësisë së Kosovës “Newborn” i është rikthyer ngjyra me nje ndryshim, ndërsa për sot janë paralajmëruar se do të organizohen një sërë koncertesh që do t’i argëtojnë qytetarët.


Kuvendi i Kosovës njoftoi se përfaqësuesit e popullit festën e pavarësisë do ta shënojnë me një seancë solemne të dielën, në të cilën do të marrin pjesë edhe personalitete politike ndërkombëtare dhe nga shtetet fqinje.


Në këtë seancë solemne, e cila do të nisë në orën 15:00, në orën e nisjes së seancës historike të 17 Shkurtit 2008, përveç deputetëve aktualë dhe krerëve shtetërorë të Republikës së Kosovës, do të marrin ish-deputetët nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë si dhe personalitete të ndryshme të jetës politike, kulturore dhe fetare kosovare.


Ndërkohë, pozita dhe opozita ndajnë mendime të ndryshme sa u përket zhvillimeve në vend gjatë ëktyre 5 viteve.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, thotë se Kosova ka ndërtuar institucione demokratike, por jep vlerësime se mbetet ende shumë për t’u dëshiruar sa i përket funksionimit të tyre.


Ndryshe prej zyrtarëve të pozitës, Ismet Beqiri i LDK-së thotë se për pesë vjet gjithçka u degradua në Kosovë.



Në këtë situatë, Ardian Gjini thotë se udhëheqësit e Kosovës e kanë humbur mundësitë për të zhvilluar shtetin në të gjitha fushat.


Kosova ka shpallur pavarësinë gati dhjetë vjet pas përfundimit të luftës me Serbinë. Në vitin 2005 patën filluar negociatat në Vjenë mes Liderëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Pas dy vitesh negociata, Prishtina dhe Beogradi nuk kanë arritur të merren vesh.


Ndërmjetësi i bisedimeve, Martti Ahtisaari, propozoi Pakon e tij, mbi të cilën Kosova më 17 Shkurt 2008 shpalli pavarësinë dhe funksionon sot.


Dy vite më vonë më 22 Korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi përmes mendimit këshillëdhënës se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.


Deri më tani, Shtetin e Dytë të shqiptarëve në Ballkan e kanë njohur, siç thotë Ministri i Jashtëm, 96 plus dy shtete. Pra, nuk dihet saktë nëse janë 96 apo 98 shtete./Indeksonline/