tete arsye per teater (1)
tete arsye per teater (2)
tete arsye per teater (3)
tete arsye per teater (4)
tete arsye per teater (5)
tete arsye per teater (6)

Teatri është një mjet mjaft i fuqishëm për të njohur historinë, epokat, zakonet, sjelljet, gjithçka njerëzore që ka lindur dhe është zhvilluar në jetën e njerëzve. Teknologjia dhe dinamika e shpejtë e jetës, e ka nxitur njeriun të vrapojë për arritje personale duke harruar shpesh atë që është themeli i jetës, humanitetin. E një shfaqje që i shërben pikërisht kësaj, është kontribut i duhur. Është një interes shumë më i madh se ai individual, ai shoqëror, komunitar, trashëgimia që u lëmë brezave, e këtë, një shfaqje teatrore, mund tua kujtojë njerëzve më mirë se cilado formë tjetër artistike 


Stela Gjonaj


Këtë vit, Teatri i Metropolit kishte 8-vjetorin e tij të krijimit si pjesë e Qendrës Kulturore të Tiranës, sipas komenteve në mediat elektronike. Duke qenë se u deshën 8 vite që një drejtuese e këtij institucioni publik të prezantojë Teatrin si një shërbim publik dhe jo si një mjet për të kënaqur egot personale, pasi pashë shfaqjen Rashomon, mendova të rreshtoj 8 arsye pse duhet shkuar në Metropol këtë sezon. Arsyen e parë sapo e rreshtova, politika e Teatrit është në funksion të publikut (jo si sasi shitje biletash, por si përfitim njerëzor – mendor dhe shpirtëror). Në shfaqjen e parë mediatike, Jonida Beqo, drejtuesja e re e institucionit, tha se do ta bënte vetë regjinë e shfaqjes së parë për të treguar modelin dhe unë mblodha buzët dhe si shumica e komunitetit tonë e mora për arrogancë e ndoshta edhe për guxim të tepruar. Kush mendon se është, i thashë vetes dhe ku e gjen këtë guxim e me cilët aktorë do prezantuaka një model?.


E për ta marrë përgjigjen, shkova të shoh shfaqjen e më pas të radhis këto rreshta.


Arsyeja e dytë është se shfaqja kishte dhe nuk kishte njëkohësisht protagonist. Loja e aktorëve nuk theksonte (bërtiste) aftësitë e mira interpretuese të asnjërit prej tyre, por i ndihte përmbajtjes së shfaqjes, kuptimit të saj, gjë që shërben drejtpërsëdrejti në arsyen e parë, Teatri si shërbim publik. Në krijimtarinë teatrore të viteve të fundit në Shqipëri, më së shumti është rendur për të përmbushur ego individuale e mjaft të pakta kanë qenë prezantimet për publikun. Brezat e pas viteve 90, meqenëse është bërë zakon të quhen kështu, po përpiqen të notojnë mes të arriturit të një niveli dinjitoz që kanë pasur për kohën e vet artistët e kohës së diktaturës dhe kapjes së dinamikës me të cilën ka ecur ndërkohë bota në fushën e Teatrit, e ky notim ende nuk ka sjellë ndonjë rezultat që të shërbejë si model pozitiv. Në prezantime apo ato pak debate televizive që janë zhvilluar për teatrin, askush nuk e ka pranuar me të vërtetë se këto 25 vite nuk janë më të mirat e kësaj fushe në Shqipëri (përkundrazi) dhe se askush nuk ka bërë diçka që “të çudisë” me përmbajtje, kërkim, sinqeritet, hulumtim, krijimtari në fund të fundit. Dhe kjo ka penguar edhe të bërit e një zëri të fuqishëm që do të sillte erë ndryshimesh e do niste të çkorkolepste këtë nyje problemesh ku ndodhet aktualisht. Nuk ka asgjë të keqe që të kënaqesh me arritjet personale artistike, por kjo nuk është parësore në këto momente. Publiku është parësor. Ndërkohë që ndodh teatri, ai angazhon mendjen dhe ndjenjat e komunitetit. Ndërkohë që një ansambël artistik ka përgatitur një prezantim, publiku ka rezervuar bileta dhe kohë dhe ka një pikë përmbyllëse në të cilën ka nevojë për duartrokitjePo kush e vendos a do të ketë apo jo duartrokitje dhe sa do të zgjasin ato? A ka mundësi ta vendosë këtë shteti? A ka mundësi ta vendosë këtë komuniteti artistik, i cili e ka apo jo mik drejtuesin e realizimit? A ka mundësi ta vendosë drejtuesi i institucionit? Apo gazetarët? Është i vetmi çast, ai i duartrokitjeve, ku biseda pa fjalë mes trupës dhe publikut varet vetëm nga ata Dhe ky çast, nëse e sheh pa emocion, mund të thuash se është ASGJË! Tani, po sugjeroj diçka në lidhje me këtë, nëse në çastin e duartrokitjeve, një artist pëson atak kardiak, drejtori i institucionit jep dorëheqjen, artistët e tjerë që nuk kanë qenë pjesë plasin nga inati, qeveria bie, përsëri duartrokitjet do të ndodhin, sepse publiku e vendos këtë, sepse publiku vendos që nga ajo ASGJË të nxjerrë KUPTIM! Jo po, këtu një qeveri e re ka investuar për reforma, një drejtues ka kaluar net pa gjumë për ti realizuar këto reforma, artistë të tjerë kanë lënë djersën dhe gjakun e tyre në pluhurin e sallave të teatrit (të gjithë në profesionet që kanë, punojnë pa e poetizuar punën)…Edhe? Kujt i bëhet vonë? Kur një shfaqje teatri ndodh, Asgjë nuk ndodh, Publiku e merr këtë asgjë dhe vendos nëse ajo asgjë ka një Kuptim! Shoqëria njerëzore e vendos këtë vlerë, ia jep këtë Kuptim, sepse ka nevojë të plotësojë imperativin e drejtësisë në jetën e tij në këtë planet të quajtur Tokë.


Shkojmë tek arsyeja e tretë – në përzgjedhjen e aktorëve është respektuar absolutisht dhe pa asnjë mëdyshje audicioni, një term me të cilin është abuzuar shpesh këto vite (nuk është herë e parë që zhvillohet audicion, por ky model nuk u lëkund nga mosardhja e shumë aktorëve e të përzgjidhte me ftesë aktorë të tjerë, përzgjodhi vetëm nga ata që u paraqitën realisht). Aleksandër Kondi, Erion Hinaj, Edvin Mustafa, Margent Çaushi, Kastriot Ramollari, Redjan Mulla, Klodjana Keco, Violeta Trebicka, Rozina Kostani, Klesta Shero, përjetuan një shfaqje që synonte jetën dhe të vërtetën, pa u përpjekur të interpretojnë protagonistin.


Arsyeja e katërt muzika. E përdorur si veprim për të çuar më tej ndodhitë skenike, e kursyer dhe jo me efekt të jashtëm për të prekur vetëm emocionet e shikuesve.


Arsyeja e pestë Kostumet, të thjeshta, të qepura bukur e me ngjyra harmonike, që në gërshetim me lojën e aktorëve i bënin një shërbim ndërkulturimit mjaft organik. Pavarësisht tyre, pasi kalonte ekspozeja, ti nuk mendoje më se ngjarja ishte në Japoni në kohët e lashta, ajo ishte po aq shqiptare dhe aktuale, njëjtë si përpjekja e Kazuhiko Yamamotos, në shkrimin e tij Një analizë alternative e Wabicha-s japoneze sipas strukturës etike të Kanunit, ku përpiqej të prezantonte ngjashmëritë e jetëve njerëzore në hapësira të ndryshme dhe kohë të ndryshme. Pra, dëshmi se Teatri ndihmon të kuptuarit e domethënies së të qenët njeri në botë e të prnuarit e të tjerëve.


Arsyeja e gjashtë Problematika e përzgjedhur për hulumtim, e vërteta – cila është ajo dhe si interpretohet. Duke parë atë që zhvillohet në skenë, publiku sheh vetveten, mendjen individuale dhe mendjet e të tjerëve dhe si ndikojnë ato te njëra-tjetra, si ndikon një veprim apo fjalë e një njeriu në përmirësimin apo shkatërrimin e tjetrit dhe shoqërisë. Këtë funksion duhet të ketë Teatri, të japë një shije të shpejtë dhe djegëse të një bote tjetër, në të cilën bota e tashme është e integruar dhe transformohet.


Arsyeja e shtatë – Thjeshtësia. Gjuha e përdorur, ndriçimi, mizanskenat (edhe ato të dyluftimeve), ndërrimet e skenave, hyrja apo dalja e aktorëve, janë të thjeshta, të qarta e të kuptueshme, duke bërë që puna në ansambël të rrjedhë. Teatri ka nevojë të jetë në funksion të publikut të gjerë, që gjithsecili ta gjejë veten aty, të shtrojë pyetje e të konsiderojë zgjidhje apo edhe të provokojë mendimin dhe ndjenjat pozitive.


Arsyeja e tetë Humaniteti. Teatri është një mjet mjaft i fuqishëm për të njohur historinë, epokat, zakonet, sjelljet, gjithçka njerëzore që ka lindur dhe është zhvilluar në jetën e njerëzve. Teknologjia dhe dinamika e shpejtë e jetës, e ka nxitur njeriun të vrapojë për arritje personale, duke harruar shpesh atë që është themeli i jetës, humanitetin. E një shfaqje që i shërben pikërisht kësaj, është kontribut i duhur. Është një interes shumë më i madh se ai individual, ai shoqëror, komunitar, trashëgimia që u lëmë brezave, e këtë, një shfaqje teatrore, mund tua kujtojë njerëzve më mirë se cilado formë tjetër artistike.


Po, janë këto 8 arsye pse duhet shkuar në Teatrin e Metropolit për të ndjekur shfaqjet, sepse baza e tyre do ti shërbejë qytetit dhe jo nxitjeve individuale, arsye pse është krijuar ky institucion dhe arsye pse ka lindur Teatri si formë artistike e u ka rezistuar kohërave. Të komunikosh vetveten apo të komunikosh probleme që kanë lidhje me tjetër person apo të tjerë persona jashtë teje? Kjo është sfidë e shoqërisë së sotme shqiptare, që do të shmangte edhe mendimin se artistët janë kategori e vështirë dhe vetë artistët do të provojnë një kulturë tjetër komunikimi, frymën demokratike, mbi bazën e së cilës mund të nisin të zgjidhen problemet e mbetura si tentativa, si: ligji për artin mbetur diku në kohëra si mosdëshirë e politikës dhe pafuqi e artistëve; shpërblimi i artistit dhe reforma në Teatër; vendimet që merren nga politika duke lënë zërin e artistit të papërfillshëm,etj. Nga një drejtuese e re, që nuk ka në thelb të mendimit qasjen romantike, por njerëzoren, vjen një shembull pozitiv dhe njëkohësisht prezantohet një mundësi mbi të cilën edhe nëse nuk biem dakord midis nesh, arrijmë të bashkojmë mendimet. Sepse Teatri e ka këtë fuqi, sepse Teatri është punë në grup që mundet të kontribuojë në progres shoqëror. Pasi i rreshtova këto radhë, e kuptova ku e gjeti guximin të prezantohej në media me ato fjalë Jonida: tek thjeshtësia dhe kreativiteti njerëzor. Këto të dyja janë gjëra që na çojnë tek fillesat e njerëzimit dhe teatrit, aty ku duhet të kthehet vështrimi i krijuesve në këtë epokë thuajse barbare të shoqërisë, pa rregulla, me moral të ngatërruar dhe me njerëz që jetojnë në ankth.


Uroj me të vërtetë të jetë puna e saj jetëgjatë dhe të ketë vazhdimësi në të mirën shoqërore!