Kryeministri Berisha ka filluar dje negociata me drejtues të Partisë Republikane, për të caktuar një vend në qeveri për këtë parti, pas largimit me dorëheqje prej saj të kryetarit Fatmir Mediu.


Sipas të dhënave të para rreth takimit, Berisha u ka propozuar atyre vendin e zëvendëskryeministrit, të cilin aktualisht e ka bosh. Por për shkak se aleatët këmbëngulin për drejtimin e një institucioni, ashtu siç është bërë zakon tashmë për partitë e vogla që marrin ndonjë ministri, për të krijuar influenca apo vende pune për anëtarët apo miqtë e klubit të tyre, Kryeministri ka lënë të hapur mundësinë e drejtimit të një ministrie.


Republikanët pak ditë më parë kanë kërkuar Ministrinë e Shëndetësisë, të cilën tani e ka PDK-ja e Ndokës, por kjo nuk do të thotë që ata s’e kanë syrin edhe në ndonjë ministri tjetër, e cila ka edhe “seksionet” e veta në rrethe.


Nëse republikanët vazhdojnë këmbënguljen dhe Berisha iu jep atyre një portofol ministri, atëherë kemi ndryshime në qeveri, ndryshime që besohet se nuk do të prekin vetëm ministrinë “e dhuruar”, por edhe ministri të tjera. Të paktën Berisha është i detyruar të shkojë në Parlament për emrin e një ministri.


Prej kohësh është përfolur për ndryshime në kabinetin qeveritar, por Kryeministri e ka mohuar me argumente të cilat pak a shumë mbështeten tek anëtarësimi në NATO i Shqipërisë, por edhe sukseset që lidhen me menaxhimin e taksave, uljen e shpenzimeve dhe investimet veçmas në infrastrukturë. Ai ka arritur të përballojë edhe presionin e të vetëve për ndryshime në kabinet apo rishpërndarje forcash brenda qeverisë sipas vektorëve të ndryshëm brenda grupit parlamentar të mazhorancës.


Por kësaj radhe ai do të bëjë ndryshime qoftë edhe vetëm për portofolin e republikanëve, moment që mund të sjellë ngasje edhe për ndryshime të tjera të rëndësishme.


Partia Demokratike vazhdimisht ka folur edhe për reforma brenda vetes. Është diskutuar dhe debatuar që një pjesë e posteve në parti të ndahen nga postet në qeveri. Nëse kjo do të bëhet fakt, atëherë Berisha duhet të lirojë disa figura të partisë nga postet shtetëroret, që pritet të zhvillojnë aftësitë e tyre drejtuese vetëm në parti, duke krijuar hapësira për përfshirje edhe më të gjerë të figurave të PD-së apo rreth saj në qeverisje.


Berishës i duhet që të mbajë të fortë një parti elektorale, por edhe një qeveri elektorale. Ndoshta një rishpërndarje e re e forcave sa te qeveria e sa te partia do të shërbente për të vjelë në një masë të konsiderueshme asetet politike dhe menaxhuese të së djathtës në përgjithësi. Nëpërmjet disa ndryshimeve në qeveri, ai do ta ketë më të lehtë kalimin e saj në Parlament se sa me disa ndryshime të vogla ose vetëm me një ndryshim, ndërkohë që një vit para zgjedhjeve ka mundësi, pa lënë pasdore kapacitetet e secilit, të bëjë një rishpërndarje të pushtetit në funksion jo vetëm menaxheria, por edhe elektoral.