Nëse barnat që tregtohen në Shqipëri kanë efekte anësore apo jo, kjo do të vërtetohet pas përfundimit të një projekti të nisur me 2009-ën. Një studim në rang vendi, i cili do të jetë i bazuar në vëzhgime, kontrolle dhe denoncime të qytetarëve nëpërmjet një numri të vendosur në dispozicion, do të japë përgjigje nëse ilaçet që blejmë në tregun shqiptar janë "të mira" apo jo.



Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave ka nisur zbatimin e një nisme të re, e cila synon informimin për pacientët, mjekët, spitalet dhe qendrat shëndetësore mbi efektet anësore të mjekimeve të ndryshme. Në dispozicion të këtyre grupeve është vendosur një numër telefoni (23 76 045) dhe një adresë e-mail, për të mundësuar raportimin e të gjitha efekteve anësore të barnave, si dhe veprimin e tyre. Kjo nismë ndërmerret në vijim të hapave të parë në fushën e farmakovigjilencës për zbatimin në Shqipëri dhe është në përputhje me direktivat më të fundit të BE-së dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.



Sipas specialistëve farmaceutikë, krijimi i një qendre farmakovigjilence për herë të parë në Shqipëri do të ndihmojë në vlerësimin dhe parandalimin e efekteve anësore dhe gjithë problemeve që lidhen me konsumimin e barnave. Farmakovigjilenca është shkenca që "vëzhgon" barnat. Konsiderohet një shkencë relativisht e re, që po ndikon ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës, pasi barnat radhiten si një ndër 10 shkaqet kryesore që sjellin pasoja të mëdha.