Dy partnerët e koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), po bëjnë "luftë" rreth përbërjes së re të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)

Mospajtimet mes dy partnerëve të koalicionit qeverisës, LDK-së dhe PDK-së, po e vonojnë edhe më tutje formimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Sado që nuk pati asnjë deputet të opozitës në sallë, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të hënën ta votojë përbërjen e Bordit. Kur ora kishte kaluar mesnatën, një numër i madh i deputetëve të koalicionit qeveritar dhe komuniteteve pakicë ishin larguar pas pauzës së fundit dhe nuk ishin kthyer në vazhdimin e seancës, shkruan gazeta Zëri.

Opozita është shprehur mjaft kritike rreth mënyrës se si po bëhet pazar nga partitë në pushtet për të plotësuar Bordin e AKP-së. Pa e pasur një mbështetje të qartë ligjore, tradicionalisht përgjegjësinë për të nominuar emrat për bord të drejtorëve e ka Qeveria e Kosovës.

Madje, ky veprim bëhet pa konkurs. Pastaj, Kuvendi i Kosovës vendos për emërimin apo jo të të nominuarve nga Qeveria e Kosovës.