Leonard Karaj
Abraham, Fish dhe Pema kanë hedhur "në gjyq" klubin e Tiranës për disa rroga të prapambetura.Lajmi është bërë i ditur dje nga Komisioni i Dispilinës në Federatën Shqiptare të Futbollit. Të tre lojtarët kanë kërkuar nga Disiplina që klubi i Tiranës t'u paguajë nga një rrogë e cila nuk u është dhënë kur ata kanë luajtur dy sezone më parë me fanellën e kësaj skuadre. Kërkesa e treshes është shtyrë nga Komisioni i Disiplinës pasi këta të fundit kanë kërkuar të diskutojnë mbi këto pretendime të futbollistëve edhe me drejtuesit e klubit bardheblu. Të dyja palët, klub dhe futbollistë do të jenë të detyruar që të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm para komisionit për të mbrojtur tezat e tyre. Kamerunasi Narcise Fish dhe sulmuesi tiranas, Eldorado Pema luajtën për vetëm një pjesë sezoni te Tirana në 2007-2008 duke mos lënë thuajse aspak gjurmë tek kjo skuadër. Ndërsa bie në sy kërkesa e Abraham, i cili vazhdon të luajë edhe këtë sezon me këtë skuadër. Sipas drejtuesve të Tiranës nigeriani është ndër më të paguarit tek kjo skuadër dhe duket e çuditshme kjo kërkesë e tij kundrejt klubit. I pyetur nga gazeta “Panorama” nëse kjo ka lidhje me mos-aktivizimin e lojtarit në disa ndeshje të fundit në Superligë presidenti i Tiranës Refik Halili mohoi gjithçka. "Abrahami i pata dhënë unë leje që të shkonte 4 ditë në Nigeri për disa dokumenta por ai u vonua, si djalë i ri që është dhe Lonçareviçi (ish-trajneri) u inatos paksa me të, ndaj edhe nuk e aktivizonte rregullisht. Nejse unë nuk ndërhyra aspak por ju siguroj se kjo është e vërteta dhe asgjë tjetër", ka konfirmuar kreu i klubit bardheblu. Ndërkohë mësohet se një kërkesë të tillë e kanë bërë edhe Orges Shehi e Dritan Babamusta ndaj klubit të Partizanit, edhe kjo kërkesë që do të merret parasysh pasi të dëgjohen edhe drejtuesit e "demave të kuq".