Ai njihet mirë nga banorët afër Qytetit Studenti dhe Rrugës së Elbasanit, pasi e ndeshin çdo ditë në rrugët e lagjes afër Ambasadës Amerike dhe Shtëpisë së fëmijës ku është rritur, si një adoleshent i shfrenuar.

18-vjeçari Marsel Qeleshi zor se ka dëgjuar në jetën e tij ndonjë akuzë për "dhunë ndaj të mbrojturve ndërkombëtarisht", po pikërisht kjo është akuza kryesore që i është faturuar për gurin e vetëm me të cilin ai akuzohet se qëlloi autobusin e Kombëtares Serbe në Tiranë.

Guri që ai akuzohet se lëshoi ndaj autobusit të kombëtares serbe nxiti edhe përlasje diplomatike mes Serbisë zyrtare dhe Shqipërisë.

Krahas saj, prokuroria e Tiranës e ka ngarkuar atë edhe me dy akuza të tjera: "Shkatërrim prone" dhe "Prishje të qetësisë publike" dhe do t'i deklarojë ato nesër, në seancën ku do të jepet masa e arrestit për Qeleshin.

Qeleshi, një i ri i komunitetit rom, është rritur në Shtëpinë e Fëmijës "Zyber Hallulli". Ai njihet si person problematik për stafin e këtij institucioni, por edhe jashtë tij.

Në profilin e tij në Facebook, Qeleshi zbulon shumë nga personaliteti i një të riu të rritur tërësisht i pavarur: Emrin e nënës së tij Marjeta, shkruar si tatuazh në bark; fotografi me pistoletë, foto të marrë cep më cep Shqipërisë por dhe dhembshuri për fëmijët e vegjël dhe disa nga shokët e tij.

Ka edhe nga ata që ngrenë dyshime, se Marsel Qeleshi mund të jetë arrestuar për të mbuluar ngjarjen, megjithatë hetimet do të tregojnë "veprën" e ttij që shënoi të vetmin incident të ndeshjes historike, Shqipëri-Serbi.