Udhëzimi


Bëhet gati vënia në punë e aerodromit të kategorisë ndërkombëtare


Aeroporti i KukesitAeroporti i Kukësit bëhet gati për tu vënë në punë. Një udhëzim i përbashkët, i firmosur nga ministri i Financës, Shkëlqim Cani, dhe ai i Transporteve, Edmond Haxhinasto, përcakton se administrimi i Aeroportit të Kukësit i kalon Aviacionit Civil. Sipas udhëzimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, Deri në vënien në punë të Aeroportit të Kukësit, Autoriteti i Aviacionit Civil, (person juridik publik jobuxhetor), të përballojë shpenzimet e administrimit të tij nga fondet e veta të programuara. Autoriteti i Aviacionit Civil duhet të evidentojë, në pasqyrat financiare vjetore të veprimtarisë së vet, shpenzimet faktike të kryera për konservim, si shpenzimet për ruajtjen e objektit me rojë private, pagat, sigurimet shoqërore, detyrimet tatimore, faturat për blerje e shërbime të kryera nga të tretë etj. Udhëzimi i vjetër i vitit 2007 Për përdorimin e fondeve të investimeve buxhetore për konservimin e Aeroportit të Kukësit shfuqizohet dhe i hapet rruga më në fund përdorimit të kësaj prone publike. Ndërtimi i Aeroportit të Kukësit nisi në muajin maj të vitit 2002 dhe përfundoi pak vjet më vonë. Ky aeroport shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 65 hektarësh, 3 kilometra larg qytetit të Kukësit, dhe është i kategorisë ndërkombëtare C. Sipas projektit të ndërtimit, në këtë aeroport është parashikuar që të zbresin njëherësh deri pesë aeroplanë. Aeroporti është i pajisur me të gjitha mjetet e kontrollit të hapësirës ajrore. Në fakt, Aeroporti i Kukësit nuk është vënë asnjëherë në punë, për shkak të kontratës mes qeverisë dhe grupit që ka marrë me koncesion Aeroportin Nënë Tereza të Rinasit. Grupi Hotchief ka ekskluzivitetin e aeroportit ndërkombëtar deri në vitin 2025. Qeveria shqiptare po përpiqet ndërkohë të negociojë me Hotchief, që ti japë menaxhimin edhe të Aeroportit të Kukësit. Vënia në punë e këtij aeroporti është kërkuar disa herë edhe nga pala kosovare nëpërmjet zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, pasi zhvillimi i tij do ti jepte ndihmë ekonomisë në të dyja anët e kufirit.


Ky shkrim Aeroporti i Kukësit i kalon Aviacionit Civil u publikua me pare te Gazeta SHQIP.