Në sulm apo në mbrojtje? Mesfushori kuqezi i bën thirrje fatit në ndeshjen kundër skuadrës së Blankut



“Kundërshtarin dihet se cili është. Nuk kam nevojë ta them unë këtë. Për ta ndalur duhet të luajmë në grup, si gjithmonë. Vetëm loja në grup dhe shpirti luftarak mund të na ndihmojë që ta ndalim,” kështu mendon Ansi Agolli për të ndalur “gjelat” e tmerrshëm të Francës. Ai e di shumë mirë që kjo do të jetë diçka e vështirë, pasi cilësia në kombëtaren transalpine është vërtet e lartë. “Kualitetet bëjnë edhe skuadrën – thotë mesfushori që aktivizohet në radhët e Karabakut në Azerbajxhan -. Ata kanë lojtarë shumë të mirë, ndaj edhe ekipi është shumë i mirë.” Sikundër çdo element tjetër në përfaqësuese, edhe Ansi Agolli ka mëdyshjen e aktivizimit e mbi të gjitha të rolit që do të ketë në fushën e lojës, duke ditur se ai luan qoftë si mbrojtës i majtë, po ashtu edhe si mesfushor i këtij krahu. “Nuk e di se ku do të luaj – vijon Agolli-. Trajneri nuk e ka caktuar ende formacionin, por unë do të jap maksimumin tim. Franca është një ekip që ta imponon lojën, ndaj më shumë do të mendojmë për mbrojtjen.” Më pas, sikundër edhe Klodian Duro, mesfushori i Karabakut deklaron se edhe ai do të ishte dakort dhe do të firmoste për një pikë në këtë ndeshje. Ansi, ndër të tjera, thekson se po gëzon “një formë të mirë dhe se përpiqem gjithnjë që të jap maksimumin në çdo ndeshje. Zëvendësimi në Bosnjë? Këto janë çështje të trajnerit”. Radha i vjen taktikës, asaj më të thjeshtës fare: në sulm apo në mbrojtje. Për Agollin “ideja jonë është të marrim maksimumin nga kjo ndeshje, por këtu hyn edhe fati. Por jam i bindur se do të bëjmë një lojë shumë të mirë. Lojtarë pa skuadër? Kjo nuk është hera e parë që ndodh, sidomos në këtë periudhë. Nuk besoj se do të ndikojë negativisht, ashtu siç nuk ka ndikuar në ndeshjet e tjera, si kundër Bjellorusisë,” përfundon ish-lojtari i Tiranës.